Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Glauk Konjufca përmes një postimi në “X” ka bërë me dije se i ka dërguar një letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas.
Letra e Konjufcës ndaj Kallas ka ardhur lidhur me deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviç e cila tha se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën në vitin 1998.
Në letrën e tij, Konjufca shkruan se retorika e një ministreje në detyrë nuk mund të trajtohet si një gafë e zakonshme. Ai kërkoi një reagim publik më të qartë dhe më të fuqishëm duke e cilësuar sit ë domosdoshëm për të mbështetur angazhimin e Bashkimit Evropian për parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftimin e revizionizmit historik.
Ndër të tjera ai kërkoi që BE të dënojë publikisht dhe qartë deklaratën e ministres dhe ta trajtojë këtë çështje në kuadër të dialogut politik me Serbinë dhe në procesin e integrimit evropian. Ai i kërkoi Kallasit një takim ose bisedë telefonike sa më parë për të diskutuar këtë çështje.



