Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj ka kritikuar ashpër elektoratin e Kosovës, duke theksuar se është e pabesueshme që qytetarët, të cilët konsiderohen ndër popujt më proamerikanë në Evropë, votojnë një subjekt politik si LVV, që është perceptuar si antiamerikan.
Dedaj për GazetaBlic ka akuzuar deputetin Albin Kurti për dështime të mëdha në qeverisjen e Kosovës, duke përmendur uzurpimin e pozita kryeministrore, dështimin në themelimin e institucioneve shtetërore, dhe dëmimin e partneriteteve ndërkombëtare.
“Edhe para zgjedhjeve të fundit parlamentare, të 9 shkurtit, e kam thënë se nuk e kuptoj elektoratin e Kosovës. Në një anë thuhet se qytetarët e Kosovës janë ndër popujt më proamerikanë në Evropë, dhe të njëjtit votojnë një subjekt politik siç është LVV, si më antiamerikane në Evropë. Kjo është absurde dhe pa asnjë sinqeritet dhe dinjitet qytetar”, tha Dedaj.
“Deputeti Albin Kurti, i cili po dështon në themelimin e institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe ka uzurpuar jashtëligjshëm pozitat e kryeministrit, në dy mandatet e tij të fundit ka dështuar t’a qeverisë Kosovën, duke e sjellë vendin nën sanksione ndërkombëtare. Ai ka izoluara dhe dëmtuar partneritetin dhe integrimin Euroatlantik, ka varfëruar dhe zbrazur Kosovën nga rinia, ka rritur shkallën e korrupsionit në nivel të lartë, ka tentuar të shtypë lirinë e mediave, nuk i ka përfillur institucionet e drejtësisë, ka favorizuar nepotizmin dhe punësimet partiake, dhe po rrezikon shtetin ligjor dhe demokracinë”, shtoi ai.
Sipas Dedajt “Me politikat e tij nihiliste, populiste dhe neokomuniste, Kurti po përpiqet të instalojë një diktaturë dhe regjim jodemokratik”.
Ai ka theksuar se politika e Kurtit ka rritur korrupsionin, ka varfëruar vendin, ka shtypur lirinë e mediave dhe ka favorizuar nepotizmin.
Dedaj ka bërë thirrje për një reflektim të thellë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, duke apeluar që votuesit të ndëshkojnë keqqeverisjen dhe të ruajnë shtetin ligjor dhe demokracinë e Kosovës.
“Votuesit e Kosovës, të cilët janë të dëshmuar për pjekuri politike, duhet të mendojnë mirë para se ta hedhin votën në kutitë e votimit, sepse bëhet fjalë për fatin dhe të ardhmen e Kosovës”, shtoi ai.
“Megjithë dështimet e Albin Kurtit dhe LVV-së në pushtetin qendror, në një vend dhe shoqëri demokratike, këto duhet të reflektohen me anti-votë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit të këtij viti, për t’i ndëshkuar keqqeverisjen, kapitullimin dhe demolimin e shtetit të Kosovës dhe të pushtetit lokal”, përfundon Dedaj për GazetaBlic.