Debati për kërkesa kombëtare në v. ‘1991, degradoi në debat për poste në ‘2024

Shkruan: Fejzi Hajdari

Debati për realizimin e interesave kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, i cili në fillimvitet e nëntëdhjeta kishte filluar mes partive shqiptare, kohëve te fundit ka degradur deri në nivel absurd: Cila parti shqiptare kishte (ka) pozita më “të fuqishme” në qeveri?! Tani tridhjetë e ca vite demokraci, faktori politikë shqiptarë pothuajse nuk ka arritur ta realizojë, ama, asnjë kërkesë fundamentale shqiptare, qoftë bile edhe ato që i gëzojnë sot serbët ne Kosovë.

Pas luftës së 2001-shit, kur shumica e shqiptarëve menduam se erdhi momenti dhe u krijuan rrethanat për realizimin e tyre, u zhgënjyen edhe më shumë se para luftës së 2001-shit. Në fakt, pozita juridiko-kushtetuese e shqiptarëve, pothuajse tërësisht ngeli e pandryshuar, bile-bile nëse i referohemi paragrafeve të kushtetutës, del që shqiptarët me Kushtetutën e vitit 1974, kanë qenë më të avancuar… Partitë vinin e shkonin, statusi kushtetues i shqiptarëve ngeli “nëncmues” e “ofendues”.

Dështimi i mosrealizimit të kërkesave kombëtare shqiptare edhe pas luftës së vitit 2001, bëri që BDI-ja e cila ishte për 22 vite në pushtet, sot kur po kalon në opozitë, me anë të një fushate të çuditshme, këtë dështim ta mbuloj duke hapur debat se cila qeveri (e Gruevskit, e Kovacevskit, apo kjo e sotmja e Mickovskit) ka patur poste, pozicione “më të fuqishme”??!!

Gjithsesi se debati i sapohapur nuk ka as minimumin e bazës për diskutim, sepse pavarësisht pozicioneve të partisë politike shqiptare në qeveri, pozita e shqiptarëve ka ngelë në rrafsh konstitucional ofendues: “popull me përqindje”, “gjuha shqipe poashtu me përdorim nënçmues, më pastaj njësitë speciale policore akoma pa asnjë shqiptarë, kurse njëherë nuk ndodhi që, fjala bie, Drejtoria e Doganave të drejtohet nga një kuadër shqiptarë, pse njëherë nuk ndodhi që Drejtoria për të Ardhurat Publike të ketë një drejtor shqiptar…poashtu nuk ndodhi që Drejtoria e Sigurimit dhe Kundërzbulimit (“DBK”-ja) të drejtohet nga një drejtor kuadër i partive shqiptare. Kjo gjendje është e pranishme edhe në shumë institucione tjera të karakterit publik e shtetërorë.

Dhe e gjithë kjo po ndodhte, ndërkohë që pikërisht këta krijues të mjegullës së sotme, gojën e kishin përplot “implementimi i Marrëveshjes së Ohrit” gjatë 22 viteve!!! Lere këtë, por që diku rreth vitit 2018, u përpoqën të na i mbushin mendjen se “implementimi i Marrëveshjes së Ohrit kishte marrë fund”, medemek ishte implementuar dokumenti politik që doli nga lufta e vitit 2001… Mirëpo kur e panë në partikë se as Marrëveshja s’ishte implementuar dhe se mungonte realizimi i kërkesave kombëtare të shqiptarëve, për të cilat në vitin 2001 luftuan bijtë më të mirë të kombit, dështimin më shumë se dydekadësh filluan ta maskojnë me debatin e turpshëm “çfarë pozicionesh kishte BDI-ja, e çfarë na paska sot VLEN në qeveri”.

E gjithe kjo edhe nuk do të ishte e habitshme për njohësit e mirëfilltë të kapacitetit të BDI-së dhe sidomos Ali Ahmetit, por ajo që të habitë është se kjo fushatë Gebelsiane (propagandistike), është gëlltitur dhe në mënyrë të sinkronizuar po realizohet edhe në Tiranë e Prishtinë. Edhe po të ndalesh t’i shikosh mirë e hollë se cilat media e mbështesin fushatën e BDI-së në Tiranë dhe Prishtinë, apriori të shfaqen “OpenBallkanistët” e Edi Ramës, Ali Ahmetit dhe opoziteës kosovare, të cila në sinkron godisnin Abin Kurtin dhe Koalicionin VLEN, por jo edhe Vuçiqin… Edhe kjo nuk do të ishte tragjike, sikur të kishte dicka të vërtetë në këtë fushatë turpi e defokusimi, respektivisht që BDI-ja me pozicionet “e fuqishme” të kishte realizuar qoftë edhe një kërkesë me karakter vital kombëtarë që datojnë nga 1991.

Pra, edhe pas luftës së vitit 2001, shqiptarët vazhdojnë të jenë shumë larg statusit kushtetues të cilin sot e gëzojnë serbët me 3 përqind në Kosovë (gjuhën zyrtare në nivel Kosove, pjesë e preambulës, nënkryetar qeveri dhe 10 vende deputetësh të garantuara, kurse këtë status nuk e gëzojnë shqiptarët e Maqedonisë me 30% etj.).

Që ta rumbullakojmë shqiptarëve sot i nevojitet Platformë politike me kërkesa kombëtare për të cilin do të nënshkruanin të gjitha partitë shqiptare, me afat paraprak realizimi. Këtë duhej ta bëntë Ali Ahmeti si parti që ishte me e madhe, por jo Ali i quante “horra”? Më këtë gjuhë dhe partner politik, nuk hartohen plattorma kombëtare… Ndosha as këtë s’e ka patur të patjetërsueshme sepse ndoshta nuk iu ka dukur e nevojshme, por sot t’i akuzosh partitë tjera për “pozicionë ne qeveri”, është hipokrizi, budallaki dhe tallje e madhe me vetveten… KONKLUZIONI: Debati ose më mirë thënë “mjegulla mediatike”që BDI-ja e ka nisur me televizionet e saja në MV dhe mediave tjera jashte MV-së, mund ta shtyejë fokusin nga kërkesat e parealizuara kombëtare të shqiptarëve ndoshta edhe ndonjë ditë, muaj e viti…, por gjithsesi kjo nuk do të zgjatë shumë deri në pakufi, e aq më pak mund t’i zgjidhë këto probleme të shqiptarëve të cilat kanë qenë pjesë e platformave politike të partive shqiptare vetëm në fushata, e asnjëherë në tavolinë qeveritare për zgjidhje.

Nuk zgjidhen çështjet kombëtare duke zbatuar fushata mediatike mjegull, por me ndikim direkt në qeveri me partnerët politikë maqedonas. Pikë! Ju nesër nëpërmjet mediave tuaja me buton, mund të filloni debat edhe për NASA madje edhe për shkuarje në Jupiter, por shumë vështirë e kishit të realizonit qoftë edhe një kërkesë kombëtare të shqiptarëve. Këekesat e shqiptarëve të vitit 1991, edhe sot rrinë hapur – të pazgjidhura. Mos i gënjeni shqiptarët! Boll, nëse e njihni Zotin dhe keni një kokërr gjynahu… Rinia shqiptare nuk po ik prej qejfit, por për shkak të dështimit dhe fajit tuaj të pafalshëm!