Deputetja e Aleancës për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës), Ilire Dauti, së bashku me kryetaren e Asamblesë së Gruas, Vjollcë Berisha, kanë zhvilluar takime me studentë dhe të rinj nga fakultete të ndryshme, me qëllim mobilizimin për protestën e paralajmëruar më 6 prill.
Gjatë këtyre takimeve, Dauti theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe angazhimit të studentëve për çështje që lidhen me gjuhën shqipe dhe drejtësinë. Ajo u shpreh se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe, përfshirë edhe në provimin e jurisprudencës, është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj, dhe se për këtë të drejtë është punuar shumë ndër vite.
Ajo u bëri thirrje studentëve, profesorëve dhe qytetarëve që të marrin pjesë në protestë, duke e cilësuar atë si një angazhim të përbashkët për mbrojtjen e gjuhës amtare dhe për drejtësi.
Edhe Vjollcë Berisha ka shprehur mbështetje për kërkesat e studentëve, duke i cilësuar ato si të drejta dhe të arsyeshme. Ajo theksoi se si pedagoge dhe politikane do të jetë gjithmonë në anën e tyre, duke shtuar se kjo është një kauzë e përbashkët për ruajtjen e dinjitetit dhe të drejtave themelore.



