Datë e re ose kthim i të hollave, agjencitë i anulojnë udhëtimet në Itali

Kthim i parave ose datë e re për udhëtim. Një pjesë e agjencive turistike filluan të anulojnë udhëtimet e planifikuara në Itali. TV21 kontaktoi me disa prej tyre, por nuk deshën të flasin para kamerave. Megjithatë, përmes rrjeteve sociale i informuan të gjithë ata që tashmë kanë paguar aranzhmane, se udhëtimet anulohen dhe se do tu kthehen paratë.

“Numër i madh i udhëtarëve që kanë paguar për këto destinacione, mund të fitojnë shumën totale të paguar ose të transferohen në ndonjë udhëtim tjetër me tjetër termin”, njoftojnë nga agjencia turistike “Falkon Travel”.

“Për shkak të brengosjes dhe sigurisë së përgjithshme, vendosëm të anulojmë udhëtimet e 8-marsit në Itali. Siguria dhe shëndeti i udhëtarëve dhe bashkëqytetarëve tanë, janë në vend të parë. Dëshirojmë t’ju informojmë se të gjithë që kanë paguar aranzhmane për 8 mars në Itali, mund të transferohen në ndonjë prej udhëtim tjetër ose në të kundërtën të hollat në shumë totale do tu kthehen”, thonë nga “Nehar Travel”.

“Nëse është e nevojshme, do të ndryshohen programet për udhëtimet e ardhshme (Pashkët dhe ekskursionet studentore). Sigurisht nuk shkyçet as mundësia që tu kthehen të hollat që i keni paguar”, potencojnë nga “Ballkan Fun Macedonia”.

Për TV21 nga Inspektorati shtetëror i tregut dhe MPB thonë se deri më tani asnjë qytetarë nuk është ankuar nga ndonjë agjenci turistike se për shkak të anulimit të aranzhmane nuk duan të kthejnë të hollat. Nga ana tjetër, Qeveria i këshillon qytetarët që të mos udhëtojnë në Itali dhe në vendet tjera ku janë evidentuar raste me korona virus. Me vendim të qeverisë janë anuluar udhëtimet e nxënësve të shkollave të mesme.

“Qeveria ka sjell vendim që t’i obligojë të gjithë shkollat fillore dhe të mesme, si dhe universitetet, që të anulojnë të gjithë udhëtimet dhe ekskursionet e parapara për në Itali, si dhe të organizojë orë edukative për përvenim nga koronavirusi, në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale dhe qendrore për shëndet publik”, njoftojnë nga Qeveria.

Pas sjelljes së vendimeve të Qeverisë, ministri Filipçe kumtoi se janë anuluar edhe udhëtime të organizuara nga institucionet publike dhe se ata nuk mund të ndalojnë udhëtimet private të agjencive turistike. Por, apeloi se është shumë e rrezikshme që në këtë periudhë të organizohen udhëtime të tilla, andaj u bëri thirrje qytetarëve që të anulojnë udhëtimet e tilla. Maqedonia ka vendosur edhe kontroll në pikat kufitare dhe në aeroportet. Dje në vend arriti avion me udhëtarë nga Milano, ndërsa mbrëmë vonë Ministria e Shëndetësisë, publikoi se një person me temperaturë të lartë ka ardhur vetë në Klinikën infektive, por pas analizave të bëra është konstatuar se nuk ka korona virus.