DAP mbylli 25 objekte për shkak të mosdhënies së llogarive fiskale

Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) vazhdon me kontrollet e shtuara në terren për fiskalizimin, ndërsa në katër muajt e parë të vitit 2026 te mbi 40% e subjekteve të kontrolluara janë konstatuar parregullsi në përputhje me Ligjin për Regjistrimin e Pagesave në Para të Gatshme, prej të cilave 30% janë parregullsi që nënkuptojnë drejtpërdrejt mosdhënie të llogarive fiskale, lëshim të llogarive të parregullt dhe mungesë të arkës fiskale, transmeton Portalb.mk.

Gjatë kësaj periudhe, DAP realizoi gjithsej 960 kontrolle në terren për fiskalizim, që paraqet rritje prej 5% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Me kontrollet janë përfshirë lloje të ndryshme subjektesh afariste:

434 objekte hotelierike;
318 objekte tregtare;
201 objekte shërbyese;
7 organizatorë të lojërave të fatit.
Kontrollet janë realizuar në bazë të denoncimeve të qytetarëve përmes linjës 198, analizave të brendshme të DAP-it dhe koordinimit me institucionet e tjera kompetente.

Nga DAP theksojnë se qytetarët janë inkurajuar më shumë të raportojnë parregullsi përmes Qendrës së Kontaktit dhe linjës informative të DAP-it.

Kështu, në këtë periudhë janë pranuar gjithsej 887 denoncime nga qytetarët, që është rritje prej 36% krahasuar me numrin e denoncimeve vitin e kaluar.

DAP rikujton se qytetarët mund të raportojnë drejtpërdrejt parregullsi edhe përmes aplikacionit “TVSH-ja Ime”.

“Në 395 subjekte janë konstatuar parregullsi sipas Ligjit për Regjistrimin e Pagesave në Para të Gatshme. Shqetësues është fakti që numri i subjekteve me parregullsi të konstatuara po rritet pavarësisht masave të vazhdueshme të DAP-it. Derisa vitin e kaluar parregullsi ishin konstatuar te 32% e subjekteve të kontrolluara, këtë vit ajo përqindje është rritur në 42%. Për parregullsitë e konstatuara në katër muajt e parë të vitit 2026 janë shqiptuar gjoba ndaj personit juridik dhe personit përgjegjës në 395 subjekte”, thonë nga DAP.

Parregullsia më e shpeshtë vazhdon të jetë mosdhënia e kuponëve fiskalë, ndërsa në katër muajt e parë të vitit 2026 janë shqiptuar 242 gjoba mbi këtë bazë.

Rritje e konsiderueshme është evidentuar edhe te shkeljet që lidhen me mosvendosjen e sistemit fiskal, ku numri i gjobave të shqiptuara është rritur nga 7 në 32 krahasuar me vitin e kaluar.

Për shkak të përsëritjes së mosdhënies së kuponëve fiskalë brenda një periudhe dyvjeçare, ndaj 25 subjekteve është shqiptuar masa e ndalimit të përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë – vulosja e objekteve.

Drejtoria e të Ardhurave Publike paralajmëron prani të shtuar në terren me numër më të madh kontrollorësh në të gjithë territorin e shtetit. DAP tashmë vepron sipas një metodologjie të re kontrolli, e cila përfshin edhe kontrolle të kryqëzuara për të përcaktuar besueshmërinë e të ardhurave të paraqitura nga tatimpaguesit.

“Jemi të përqendruar në zbulimin e modeleve, rreziqeve dhe mekanizmave përmes të cilëve krijohet qarkullimi i paevidentuar, jo vetëm për të konstatuar dallime, por për të zbuluar rrjedhat e aktiviteteve ekonomike joformale dhe tatimet e padeklaruara. Tatimpaguesve te të cilët është konstatuar qarkullim i paevidentuar u bëhet thirrje që ta evidentojnë vullnetarisht atë në evidencën kontabël dhe ta paraqesin në deklaratat tatimore. Nëse tatimpaguesit nuk bëjnë harmonizim vullnetar, DAP do të realizojë kontrolle shtesë tatimore dhe do të ndërmarrë sanksione në përputhje me ligjin. Drejtoria e të Ardhurave Publike mbetet e përkushtuar fuqishëm ndaj zbatimit konsekuent të ligjeve, luftimit të ekonomisë gri dhe sigurimit të trajtimit të barabartë për të gjithë tatimpaguesit”, thuhet në njoftim.