Daniel: Ambasada në Jerusalem, mundësi që Kosova të dëshmojë se politika e jashtme e saj s’varet nga Turqia e BE

Kosova ofron mundësi të shumta për kompanitë izraelite dhe mbase ekonomia dhe zhvillimi do të jenë kahja e raporteve mes Izraelit dhe Kosovës, thotë Remi Daniel, ekspert në Institutin e Studimeve të Sigurisë Kombëtare në Izrael.

Sipas tij, vendimi për hapjen e Ambasadës në Jerusalem, është një mundësi për Kosovën që të tregojë se mund të ketë një politikë të jashtme të pavarur dhe që nuk është e varur nga Turqia ose nga Bashkimi Evropian.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, eksperti Daniel flet edhe për situatën e fundit të shpërthimit të dhunës dhe Jerusalem mes palestinezëve dhe forcave izraelite, përcjell klankosova.tv.

Ditët e fundit po shohim skena të dhunës në Jerusalem. A mund të na thoni pse ky përshkallëzim i dhunës në këtë periudhë?

 

Remi Daniel: Mendoj se ky përshkallëzim është rezultat i një sërë faktorësh, që duke u bërë bashkë po krijojnë një situatë shpërthyese në të dyja anët. Fillimisht nga ana palestineze, Muaji i Ramazanit është gjithmonë një muaj i tensionuar në politikën palestineze. Ekziston një rivalitet mes grupeve të ndryshme politike. Me siguri ju e dini se ishte planifikuar mbajtja e zgjedhjeve palestineze mes Fatahut dhe Hamasit, të cilatu anuluan. Hamasi, që është më shumë një grup islamist terrorist, po përpiqet që të fitojë më shumë fuqi në shoqërinë palestineze. Kjo ka krijuar mundësi për grupet palestineze që të krijojnë një situatë të nxehtë me Izraelin.

Ndërkaq, në anën e Izraelit qëndron fakti se situata politike është shumë jostabile, kemi një qeveri të dobët dhe një rritje të grupeve të krahut të dhjathtë, që kanë mbështetur krahas tjerëve kryeministrin, Benjamin Netanyahu. E gjithë kjo krijon një rikonfigurim, në të cilin çdo ngjarje mund të jetë inicuese e përshkallëzimit të situatës. Pra, kemi pasur çështjen e disa shtëpive palestineze në lagjjen Sheik Jarrah në Jerusalem, pastaj shënimin e Ditës së Jerusalemit nga ana e grupeve të nacionalistëve izrelitë, dhe e gjithë kjo solli përshkallëzimin si rezultat i problemeve afatgjate, afatmesme dhe afatshkurtëra në anën e palestinezëve dhe të Izraelit.

Ngjashmëritë mes raporteve Kosovë-Serbi me ato mes Izraelit dhe palestinezëve

Të kalojmë të rajoni i Ballkanit. Kosova dhe Serbia po zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve. Shumë analistë kanë thënë se nëse dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të zgjasë, atëherë mund të shndërrohet në një situatë të njëjtë sikur mes palestinezëve dhe Izraelit, apo edhe mes qiprotëve grekë dhe turq.

A shihni ju ngjashmëri?

Remi Daniel: Po, ekzistojnë disa ngjashmëri. Ndoshta se pari duhet të flasim në lidhje me atë se çfarë mendojnë këta njerëz kur thonë se situata mund të duket sikur mes palestinezëve dhe izraelitëve, thjesht një situatë në të cilën dështojnë të gjitha përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë dhe njerëzit mësohen me këtë, apo me një situatë në të cilët nuk ka paqe, por luftë. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë ngjashmëri, pasi bëhet fjalë për faktin se çështja është për një territor relativisht të vogël, më shumë çështje kontestuese, konflikte, pastaj çështje të legjitimitetit, pra çështje që janë shumë të ndjeshme dhe që ngjallin shumë emocione në të dyja shoqëritë. Unë shoh gjithashtu një përpjekje të komunitetit ndërkombëtar për të luajtur një rol, edhe pse ai nuk është gjithmonë pozitiv. Të gjitha këto ne i kemi parë dhe ende po i shohim në kontestin e Izraelit me palestinezët. Pra, ngjashmëria mes dy rasteve është shumë relevante.

Ambasada e Kosovës në Jerusalem, me rëndësi të veçantë simbolike

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka ngjallur kritika të Bashkimit Evropian dhe Turqisë. Madje, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, të rivlerësojë vendimin. Si e keni parë ju një situatë të tillë?

Remi Daniel: Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka qenë e një rëndësie të veçantë simbolike për Izraelin, pasi Kosova është vendi i parë me shumicë myslimane në botë që hap ambasadën në Jerusalem. Pra, ka krijuar tensione me Turqinë dhe Bashkimin Evropian që kanë mendime të ndryshme për Jerusalemin.

Në rastin e Turqisë ndoshta është interesante të thuhet kjo ka ardhur në kohën kur raportet mes Kosovës dhe Turqisë nuk janë në nivelin më të mirë. Kanë ekzistuar disa tensione mes dy vendeve për shkak të Lëvizjes Gulen, që është armiku kryesor i Erdoganit, disa nga anëtarët e kësaj lëvizjeje janë në Kosovë dhe Erdogan po përpiqet që ta detyrojë Qeverinë e Kosovës që t’i kthejë ata në Turqi, pastaj kemi pasur rastin e kidnapimit të tyre që krijoi tensione me Qeverinë e Kosovës.

Vendimi për hapjen e Ambasadës në Jerusalem është një mundësi për Kosovën që të tregojë se mund të ketë një politikë të jashtme të pavarur dhe që nuk është e varur nga Turqia ose nga Bashkimi Evropian. Ndoshta gjëja më e rëndësishme që mund të thuhet për këtë është se ka qenë e mundësuar nga përfshirja ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Tash që Trump nuk është më në pozitë, ndoshta hapësira manovruese e Kosovës në raport me Izraelin është më e vogël se në kohën kur është marrë vendimi në fillim të këtij viti.