Dakordimi për aneksin në Ohër, Osmani thotë se Serbia do të vazhdojë t’i shkelë marrëveshjet

Presidentja e Kosovës, Osmani, ka reaguar një ditë pas dakordimit të Aneksit të Marrëveshjes bazë me Serbinë.

Osmani ka thënë se Kosova dëshmoi të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet.

“Pres që të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse”, tha Osmani.

Tutje Osmani shtoi se nuk ka ndonjë pritje ndaj Serbisë, pasi theksoi se për 12 vite ka shkelur marrëveshjet e dakorduara.

“Nga Serbia nuk kam asnjë pritje. Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet”.

“Nëse dëshirojmë zbatim të mirëfilltë të marrëveshjes duhet të ndryshohet qasja akomoduese ndaj regjimit të Serbisë dhe të penalizohet secili tentim i tyre për destabilizim të situatës në terren, si dhe jokonstruktiviteti e bllokada e tyre e vazhdueshme”, tha Osmani.