Daçiq: Serbia nuk do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB

“Serbia nuk do të lejojë që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara”. Këtë e ka rideklaruar ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçië ndërsa falënderoi “të gjitha vendet që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”.Gjatë Samitit të 19-të të Lëvizjes së të Paangazhuarve, që po mbahet në Kampala, Daçiç theksoi se është e rëndësishme që interesat e Serbisë të jenë të pranishme në samitin e Lëvizjes së të Paangazhuarve në Ugandë, sepse ende një numër i madh të vendeve anëtare nuk e kanë njohur Kosovën.

“Këto janë kryesisht vendet tona mike, janë më shumë se 100 shtete që janë anëtare dhe për këtë është shumë e dobishme që ne të jemi të pranishëm dhe të marrim pjesë në aktivitetet e tyre”, tha Daçiç.

Daçiç tha gjithashtu se Serbia është një vend ushtarakisht neutral, i përkushtuar ndaj angazhimit të saj strategjik për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, por theksoi se në të njëjtën kohë po forcon miqësitë tradicionale me vendet afrikane, të Amerikës Latine, Azia-Paqësorit dhe brenda Lëvizja e të Paangazhuarve.

/Euronews Albania/