Daçiq: Serbia e propozoi projektin e Minishengenit, Kosova taksën

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka zbuluar se prapa nismës për “minishengen” qëndron Beogradi. Një gjë të tillë Daçiq e ka thënë derisa ka folur për pritjet që ka nga qeveria e re e Kosovës dhe heqjen e taksës, shkruan Gazeta Express.

Sipas tij Kosova me taksën e vendosur ndaj mallrave të Serbisë po tregon se është kundër pajtimit, ndërsa thotë se Beogradi po vepron plotësisht ndryshe duke propozuar Minishengenin për t’i hequr të gjitha barrierat mes dy shteteve.

“Unë mendoj se jem larg nga ajo (vazhdimi i dialogut), sepse institucionet e Kosovës duhet të krijohen. Se a do të krijohen apo jo është një pikëpyetje e madhe. Taksa është një vendim që se ka parë historia, sigurisht që ne nuk e konsiderojmë Kosovën si një shtet tjetër dhe këtu nuk bëhet fjalë për raporte bilaterale por… Beogradi propozon minishengenin, heqjen e të gjitha barrierave, dhe Prishtina vendos taksë 100 për qind. Është totalisht një vendim kundër përpjekjeve për normalizim dhe pajtim në gjithë rajonin. Ne nuk jemi shumë optimist rreth kësaj, por ne do të shohim si do të rrjedh situata. Në çdo rast Serbia do të jetë një faktor konstruktiv”, ka thënë Ivica Daçiq për Kosovo Online, i pyetur se a pret ndryshime të politikës kosovare, heqje të taksës dhe rifillim të dialogut.

Se përmes projektit të minishengenit po bëhet përpjekje për të hequr edhe taksën e ka thënë kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.

Një deklaratë e tillë e Haradinajt madje ka nervozuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili pas takimit me Vuçiqin e Zaevin kishte sulmuar Haradinaj dhe e kishe quajtur gënjeshtar.