Daçiq: Nuk mund ta lëshojmë dorën e Rusisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se shteti i tij dëshiron të gjejë një interes të përbashkët me Perëndimit dhe një marrëveshje me Kosovën, por sipas tij, ata nuk mund ta lëshojnë dorën e Rusisë, pasi është dora e vetme në këtë çështje.

Sipas tij, interesi jetik i BE-së është që Serbia të jetë anëtare, por në të njëjtën kohë vendet e Perëndimit me politikën e tyre po e shtyjnë Beogradin drejt Moskës.

Shefi i diplomacisë serbe ka vlerësuar edhe për Zërin e Amerikës se politika e jashtme e Serbisë duhet të jetë një “sllallom gjigant”, shkruan Danas, transmeton Klankosova.tv.

Duke iu referuar mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që do të mbahet të enjten, Daçiq tha se çështja e anëtarësimit të Kosovës ndoshta nuk do të jetë në agjendën e takimit, por se kjo nuk do të thotë se çështja është zgjidhur.

Sipas tij, Irlanda që është kryesuese, ka hequr dorë nga propozimi për Kosovën në mbledhjen e Komitetit të Ministrave

“Nuk e dimë nëse do ta propozojë dikush tjetër, por nuk e besoj, sepse kërkon disa përgatitje. Pra, tani kalohet te kryetari i ardhshëm, është Islanda dhe tani duhet të punojmë me Islandën”, tha Daçiq.