Çun Lajçi: Në Tetovë e takova Naimin!

Dje s’fola me tetovarë, po me Naimin

Tetova s’kishte mjegulla n’atë mëngjes kur mbrrina të Naimi. Madje s’vinte as erë monoksid karboni.
Dukej se netët ende s’ishin të ftofta e drutë po ruheshin për ditët me ngrica.
Kuferin e ngreha zhag nëpër bar deri të kambët e Naimit!
Ah po, harrova me iu tregua se për cilin Naim asht fjala! Se mund t’jetë edhe ndonji Naim tjetër që asht lypës apo pijanec e mund ta njohin njerëzit ma shumë se atë Naimin n’bronz.
Posi, sepse lypësi çdo mëngjes futet kafiterive tue shtri dorën e të gjithë e njohin, kurse të ai Naimi që thoshte “Ti Shqipëri me jep nder”, te ai shkojnë vetëm njiherë n’vit. Vetëm me 5 tetor, kur fillojnë Ditët e Naimit e vendosin lule. Ditëve tjera të kambët e tij urinojnë qentë me vathin e verdhë n’vesh. Edhe unë i gjeta dy të tillë afër tij që ishin shtri n’rrezet e diellit e po ngroheshin! Bile s’ua prisha fare gjumin, po ngadalë i nxorra librat dhe i vendosa të kambët e poetit.
Nji mace e ngordhun, që kishte fillua të dekompozohej, kutërbonte erë t’keqe. Plot miza t’verdha dolen nga barku i saj, kur me nji rrem pishe e largova pak!
Na fal poet i thashë, se ata lisat e gjatë për t’cilët shkrove ti, janë prej Gajres deri n’Bozovc. Ketu jam unë me libra e qentë e qytetit. Ata lehin, unë recitoj! Ti mos na e var veshin neve pleqve, se djemtë i kemi çua n’Evropë me na e fitua bukën, ani pse kjo fusha e Pollogut asht ajo “Bujqësia” jote për t’cilën ti shkrove. E “Bagëtia” tetovare asht n’Kodrën e Diellit! I kullosin edhe n’Sharr, por s’ka kush me iu këndua, se ti s’flet as me mua as me Teatrin që rri mbrapa teje i mbyllun. Pak faji i covidit e shumë ma shumë faji i partive n’pushtet. Po, se ndrrohen shpesh, e drejtorët ikin me partitë. Secili e instalon interesin e vet n’kulturën e qytetit që heshtë. N’kulturën shterpe.
Sot do t’jemi vetëm unë e ti e qentë që rrezitën. S’do t’vinë as gazetarë, as profesorë universiteti, as deputet. Ata erdhën atë ditë n’rrugë e nuk m’lanë me ardhë të ti.
– Këtu rri m’thanë, hiçu Naimit dhe e mueren nga nji libër, sepse duhej me dalë n’televizione e me i pa njerëzit se sa t’interesuem janë për artin e fjalën! Bile secili m’ofroi pije e drekë!
Kjo ishte vetëm sa për sy e faqe. Sot do t’jeshë dëshmitar se sa “t’etshëm” janë për vargun poetik e për fjalën e gjallë t’artistit!
Ata e moren vesh se kush janë përsonazhet e “Bastardëve” t’mi! Edhe katër vite s’do t’flasin me mua. Do t’presin me shkrua librin tjetër, “Kopili që shet libra e qeshet”, për t’u habitë se si asht e mundun që artisti t’jetë kaq i guximshëm! E pastaj t’fillojnë me m’kërcnua, si ai që m’çoi fjalë: Besën e ke, se po e muer djali im librin tand, “Bastradët”, kam me ardhë me t’vra!
Edhe ai trimi i Baballoqit m’i shkurtoi drutë: Rri e mos fol për tokat e bleme! As për tokat e faluna Manastirit, o firaun artist. Shit libra e ha kore si qentë rrugëve e mbylle gojën!
Njerëzit të duen vetëm nëse i lemon. Mundësisht pa folë!
Unë sot po flas me ty e ti fol me Stambollin: A po na e bani Shkupin edhe njiherë Vilajet?!
Ajo zonja që erdhi me t’amën, kur unë fillova me u paketua, m’kishte shkrua letër!
– U ndjeva e nderueme që iu takova dhe e lumtun që e mora librin tand. Por e dëshpërueme kur iu pashë tue folë me Naimin n’bronz! Naimi n’kambë rrinte e ju ulun mbi librat tua e kafiteritë plot tetovarë!
S’pati nji njeri t’iu shoqnonte ç’merr prej Bozovcit e n’Jazhincë?
S’i kishte hije Tetovës t’iu linte gjithë ditën vetëm, ani pse juve shoqni iu ban krenaria, e kurrë s’iu len vetëm. Por artistët si ti s’lehen me folë me statuja!
Jam rritë me recitimet tua e t’Reshat Arbanës, por s’ia fali Tetovës që sot iu la vetëm!
M’kishte shkrua Nisa Zeqiri, nanë e dy fëmijve!
M’erdhi keq prej vetvetës kur m’u kujtua dita e parë n’rrugët e Tetovës, se si erdhën do kryetar partishë t’shoqnuem me badigard e do rektor t’përcjellun me profesorët e vet!
Tue dalë n’rrugë, nji aktor m’ofroi kafe e m’foli për nji monodramë që e kishte inskenua n’kafiterinë e teatrit.
Mrekulli kam ba m’tha. Duhesh me pa nëse reprizohet!
Unë i fola për “Bastardët” dhe ia vuna n’tavolinë. Lexoje ti librin tim deri sa t’reprizohet shfaqja jote i thashë!
Por jo, ai vazhdoi me lavdua shfaqjen e vet, tue mos e kqyrë fare librin tim!
M’erdh keq prej tij kur nji student e muer librin e paret i la n’tavolinë.
Prit t’pakten ta nënshkruej i thashë dhe u futa n’veturë.
Kur e kalova Shkupin m’duket sikur ofshana: Mori fund shitja e librave rrugëve t’atdheut!

Tetovë, 30.10.2020