Çulev informoi se kanë mbetur rreth 4.900 formularë për pasaporta

Rreth 4.900 formularë për pasaporta kanë mbetur për momentin, ndërsa 14.900 qytetarë presin t’u jepen pasaportat. Dërgesa e re e formularëve për dokumente udhëtimi nga operatori ekonomik Veridos duhet të arrijë më 24 mars, ndërsa ministri teknik i Punëve të Brendshme Naqe Çulev informoi se po bëhen përpjekje mbinjerëzore për përshpejtim të procesit dhe ekziston mundësi që ato eventualisht të arrijnë dhjetë ditë para këtij termini.

Çulev pas vizitës së sotme në Sektorin për punë të brendshme – Shkup, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve theksoi se problemi me letërnjoftimet dhe patent shoferët është tejkaluar, mbetet për t’u zgjidhur vetëm problemi me pasaportat.

Ai tha se problemin me dhënien e dokumenteve personale e ka trashëguar nga pararendësi i tij, kryeministri i tanishëm teknik Oliver Spasovski.

Çulev ka theksuar se sot do ta informojë edhe Qeverinë për problemin me dokumentet rrugore./TV21/