Costa pret Ramën në Bruksel në një moment kyç për negociatat

Takimi zhvillohet ndërsa Shqipëria përballet me fazën më teknike të procesit të anëtarësimit në BE.

Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë të hënën në Bruksel një takim me Presidentin e Këshillit Evropian, António Costa, në një moment të ndjeshëm për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.
Takimi vjen pas kontaktit të fundit mes dy liderëve në dhjetor të vitit të kaluar në Bruksel, në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku u diskutua thellimi i bashkëpunimit dhe avancimi gradual i integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.
Takimi i 9 shkurtit zhvillohet në një fazë kur Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe përballet me sfidën e mbylljes së tyre, me fokus të veçantë te standardet e sundimit të ligjit dhe raporti teknik IBAR.

Në javët e fundit, procesi i integrimit është shoqëruar me raportime që kanë krijuar perceptimin e tensioneve mes Tiranës dhe Brukselit, veçanërisht pas përmendjes së COELA-s, grupit teknik të Këshillit të BE për zgjerimin.
Megjithatë, COELA është një strukturë pune teknike dhe jo organ vendimmarrës politik, ndërsa diskutimet zhvillohen mbi baza periodike dhe pasqyrohen në dokumente të brendshme teknike.

Sipas burimeve evropiane, Shqipëria nuk ka qenë objekt diskutimi në mbledhjet e fundit të këtij grupi, duke konfirmuar për Albanian Post se procesi i zgjerimit vijon të mbetet i bazuar në vlerësim teknik dhe jo në reagime politike të momentit.
Në këtë kontekst, momenti më i rëndësishëm teknik për Shqipërinë mbetet përgatitja e raportit IBAR për kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me sundimin e ligjit, drejtësinë dhe të drejtat themelore.

Ky raport konsiderohet si porta reale drejt fazës së ardhshme të negociatave, pasi pa përmbushjen e standardeve të përkohshme në këto fusha, kapitujt nuk mund të avancojnë drejt mbylljes.

Mesazhi i institucioneve evropiane ka mbetur i qëndrueshëm: progresi matet përmes rezultateve konkrete në funksionimin e institucioneve dhe në ndjekjen penale efektive të korrupsionit, përfshirë rastet e nivelit të lartë.
Takimi në Bruksel zhvillohet gjithashtu në vazhdën e kontakteve të fundit të nivelit të lartë mes Shqipërisë dhe BE-së, përfshirë vizitat dhe dialogun e intensifikuar mbi sigurinë, migracionin dhe funksionimin e shtetit ligjor.
Burime evropiane e përshkruajnë takimin si pjesë të koordinimit politik për ritmin e reformave dhe përgatitjen institucionale për fazën e ardhshme të procesit të integrimit.

Në Bruksel, vlerësimi i ecurisë së Shqipërisë vazhdon të mbetet një proces teknik dhe i bazuar në performancë, ku raportet dhe indikatorët institucionalë peshojnë më shumë se deklaratat politike.