Costa: Maqedonia e Veriut e di se çfarë duhet të bëjë për anëtarësim në BE

Bashkimi Evropian thekson nevojën për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit strategjik mes Unionit dhe Ballkanit Perëndimor. Kjo thuhet në Deklaratën e Samitit të përbashkët BE – Ballkani Perëndimor, ku u theksua se e ardhmja e rajonit është në Bashkimin Evropian dhe se zgjerimi është një mundësi që duhet shfrytëzuar. Në deklaratë theksohet edhe nevoja për përmbushjen e obligimeve të vendit tonë.

Bashkëpunimi rajonal gjithëpërfshirës, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët, si dhe për zbatimin me vullnet të mirë dhe me rezultate konkrete të marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Bullgarinë.

Në Samitin e BE-së, mesazh erdhi edhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili theksoi se Maqedonia e di se çfarë duhet të bëjë.

“Sa i përket Maqedonisë së Veriut, i përshëndesim hapat për forcimin e ndërlidhjes rajonale dhe shpresojmë në përparim të vërtetë në vitin 2026. Autoritetet e saj e dinë se çfarë duhet të bëjnë”, tha Antonio Costa, President i Këshillit Evropian.

Kryeministri Mickoski, i cili mori pjesë në Samit, deklaroi se Qeveria po i ndërmerr të gjitha reformat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe se vendi e ka merituar anëtarësimin shumë kohë më parë, por për arsye artificiale ende nuk mund të bëhet pjesë e BE-së.