Conte: Kërkesat e mia janë shumë të larta sepse jam mësuar të jem konkurrues dhe të fitoj

Pas ndeshjes, menaxheri i Spurs, Antonio Conte e përmendi pozicionin jashtë loje të Kanes, megjithatë ai tha se nuk dëshiron ta komentoj vendimin e VAR-it.

“Po, mendoj se Harry shënoi dy herë, një penallti dhe më pas golin e dytë. Mendoj se nuk dua të komentoj vendimin e arbitrit apo vendimin e VAR-it”, tha Conte për Amazon Prime.

“Nuk dua të futem në këtë situatë pasi nuk është e drejtë. Ata janë aty për të bërë më të mirën. Ne shpresojmë çdo herë që ata të marrin vendimin më të mirë.’

Spurs ishin dominues në pjesën e dytë, megjithatë njerëzit e Contes nuk mundën t’i përfundonin rastet e tyre kundër 10 lojtarëve.

“Kërkesat e mia janë shumë të larta sepse jam mësuar të jem konkurrues dhe të fitoj, dhe sigurisht për mua ka një zhgënjim të madh kur nuk fitojmë”, shtoi Conte.

“E kuptoj edhe situatën. Tani me siguri duhet të punojmë shumë dhe nuk do të jetë e lehtë të luftojmë për diçka këtë sezon.

“Duhet të përmirësohemi shumë. Sigurisht që ishte një mundësi që e humbëm. Kur ke një situatë të tillë, duhet të përpiqesh të shfrytëzosh, të përpiqesh të marrësh tre pikë.

“Ne e dinim shumë mirë se të luash kundër Southampton në këtë stadium nuk është e lehtë. Situata në një moment të lojës ishte pozitive për ne.

“Nuk i gjetëm zgjidhjet për të shënuar. Ne shënuam, por ata vendosën të anulonin golin”, deklaroi italiani.