Conte: Deklaratat e mia ishin konstruktive, duam të vazhdojmë të befasojmë

“Duhet t’u them bravo futbollistëve të mi. I trembesha shumë Shakhtarit, pasi është një skuadër e përgatitur mirë, por ne e bëmë të duket një ekip shumë normal në fushën e lojës dhe nuk e lamë të luajë”, tha Antonio Conte në nisje të konferencës për shtyp në përfundim të gjysmëfinales së dytë të Europa Leagues.

Interi i tij triumfoi me rezultatin e thellë 5-0 ndaj ukrainasve, falë një forme mjaft të mirë të dyshes sulmuese Lukaku-Lautaro Martinez të cilët shënuan nga dy gola secili, ndërsa tani zikaltrit e shohin veten në finale përballë andaluzianëve të Sevillas.

Conte e pranon se spanjollët kanë shumë eksperiencë në Europa League, pasi e kanë fituar 3 herë në 10-vjeçarin e fundit, por thekson se djemtë e tij kanë shumë dëshirë për të bërë mirë dhe për të ngritur lart këtë trofe.

“Shumë prej lojtarëve tanë luajnë për herë të parë në nivele të tilla dhe sigurisht që Sevilla ka avantazhin e të qenit një skuadër me eksperiencë në këtë kompeticion. Megjithatë ne kemi shumë entuziazëm dhe dëshirë për të bërë mirë. Tani të rikuperojmë energjitë dhe të fitojmë për tifozët tanë, që do të jenë krenarë për këta djem që japin shpirtin në fushën e lojës”, u shpreh tekniku italian.

Në fund të ndeshjes Conte u pa të përqafohej me të gjithë drejtuesit e Interit, përfshi edhe Giuseppe Marottën, të cilin e kishte sulmuar në ndeshjen e fundit të kampionatit, ndërsa mbrëmë sqaroi edhe kontekstin e deklaratave pas takimit ndaj Atalantës.

“Nuk dua të kthehem pas në situata të caktuara, por atëherë e ndjeja se duhej t’i thosha disa gjëra dhe i thashë. Unë jam kështu dhe i them gjërat kur shoh që nuk shkojnë, por deklaratat e mia janë gjithmonë konstruktive dhe bëhen për të mirën e skuadrës. Të gjithë këtu jemi për një qëllim, të ngremë lart emrin e Interit dhe të shtojmë numrin e trofeve të skuadrës”, u shpreh trajneri zikaltër.