CNN: Nga Azia Lindore, vetëm Koreja e Veriut nuk ka regjistruar raste me koronavirus

Prej se u paraqit koronavirusi në qytetin kinez Wuhan, pothuajse çdo shtet dhe territor në Azinë Lindore ka konfirmuar raste të të infektuarve, përveç Koresë së Veriut.

“Një nga vendet më të varfra në botë, sipas të dhënave zyrtare, ka arritur të shmang virusin, përskaj faktit se kufizohet me Kinën, në të cilën nga koronavirusi vdiqën mbi 600 persona, ndërsa të infektuar janë mbi 31.000 persona”, njoftoi CNN.

Televizioni amerikan gjithashtu ka thënë se çdo shtet dhe territor brenda zonës prej afro 2.500 kilometrash nga Koreja e Veriut, përveç Mongolisë, ka konfirmuar se ka njerëz të infektuar me koronavirus.

CNN thotë se është e paqartë se si Pheniani arriti të shmangë virusin, duke shtuar se Koreja e Veriut ishte ose me fat ose jo e sinqertë.

Profesori i Universitetit të Koresë Nam Sung Vuk tha se është shumë e besueshme se ndonjëri të jetë i infektuar nga rreth 25 milion njerëz që jetojnë në Korenë e Veriut.

“E dimë që ka të infektuar në rajonet kineze të cilët janë të kufizuara me Korenë e Veriut. Rreth 90 për qind nga tregtia me Korenë e Veriut zhvillohet me Kinën dhe ne e dimë se numër i madh i njerëzve, kamion, trena kanë kaluar kufirin në mes dy shteteve përpara se Koreja e Veriut të ndërmarrë masa për të parandaluar përhapjen e virusit”, theksoi Nam.

Koreja e Veriut ka mbyllur kufijtë me turistët e huaj, prej të cilëve shumica janë kinez, ka hapur qendra kundër përhapjes së epidemisë nëpër vendin, derisa ata që kanë hyrë në shtet pas 13 janarit janë nën përkujdesje mjekësore.

Agjencia Shtetërore koreano-veriore KCNA njoftoi se punëtorët mjekësorë kanë vendosur sisteme për diagnostikime gjithandej shtetit dhe se janë në gjendje për kohë të shkurtë të zbulojnë praninë e virusit.