Çmimi i naftës dhe lufta – 50 miliardë dollarë humbje në 49 ditë

Bota ka humbur rreth 50 miliardë dollarë naftë gjatë afro 50 ditëve të luftës Iran–Izrael, thonë analistët.

Kanë kaluar 49 ditë që nga 28 shkurti, kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit. Në këtë periudhë, tregu global i naftës është goditur rëndë, me mbi 50 miliardë dollarë naftë bruto të humbur, sipas Reuters dhe analistëve të industrisë. Pasojat e kësaj krize pritet të ndihen për një kohë të gjatë.

Sipas ministrit të jashtëm iranian, Abbas Araghchi, Ngushtica e Hormuzit është rihapur “plotësisht”, pasi më parë ishte mbyllur në mënyrë efektive nga Teherani.

Të dhënat e kompanisë Kpler tregojnë se që nga fillimi i luftës, më shumë se 500 milionë fuçi naftë dhe kondensat (lloj hidrokarburi) janë larguar nga tregu global, shkruan skynews.

Analistët e cilësojnë këtë si ndërprerjen më të madhe të furnizimit me energji në historinë moderne. Sipas Iain Mowat nga Wood Mackenzie, mungesa e prodhimit është e barabartë me heqjen e të gjitha veturave në botë nga qarkullimi për 11 ditë.

Gjatë marsit, vendet e Gjirit Persik humbën rreth 8 milionë fuçi prodhim nafte – pothuajse sa prodhimi i kombinuar i ExxonMobil dhe Chevron.

Me çmimin mesatar të naftës rreth 100 dollarë për fuçi, kjo mungesë përkthehet në rreth 50 miliardë dollarë të ardhura të humbura, sipas analistit Johannes Rauball nga Kpler.

Edhe pse Ngushtica e Hormuzit është rihapur, rikthimi i plotë i prodhimit dhe furnizimit pritet të jetë i ngadaltë. Kpler raporton se rezervat globale të naftës në tokë kanë rënë me 45 milionë fuçi vetëm këtë muaj.

Disa fusha nafte më të rënda në Kuvajt dhe Irak mund të kërkojnë 4–5 muaj për t’u kthyer në nivele normale të prodhimit.

Ndërkohë, dëmet në kapacitetet e rafinerive dhe në kompleksin e gazit natyror të lëngshëm Ras Laffan në Katar nënkuptojnë se rikuperimi i plotë i infrastrukturës energjetike në rajon mund të zgjasë me vite.