Çmendia si normalitet i ri

Shkruan: Blerim Shala

Akt çmendurie.

Ky ishte vlerësimi më i shkurtër dhe më i saktë i mundshëm i ndalesës dhjetëra orëshe të qindra qytetarëve të Kosovës në kufijtë në mes të Serbisë dhe shteteve fqinje, nga ana e autoriteteve serbe.

Pa kurrfarë dyshimi, ishte ky një ndëshkim kolektiv ndaj shqiptarëve të Kosovës, pak orë pasi që PACE (Asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës), me një votë impozante i dha dritën jeshile Kosovës për t’u bërë pjesë e institucionit më të vjetër të Evropës.

Hapi final në këtë ndërmarrje shumë të rëndësishme për Kosovën, për të gjithë qytetarët e saj, përfshirë këtu edhe ata të komunitetit serb (ata përfitojnë dhe Serbia humbë, kjo është e vërteta në këtë rast), do të ndodhë në mesin e muajit maj, në mbledhjen e Komitetit të ministrave të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës.

Por, t’i kthehemi vlerësimit që zuri vend fare në fillim të këtij shkrimi.

Siç e dimë të gjithë ne këndejpari dhe siç është e definuar edhe nga Washingtoni dhe Brukseli, bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuara nga BE-ja, dhe të nisura qysh në muajin mars të vitit 2011, kanë pasur si busullë orientimi ‘normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë’.

Diçka e tillë ishte e logjikshme dhe e kuptueshme. Pas publikimit të mendimit të ICJ-së (Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, në korrikun e vitit 2010), për shpalljen e pavarësisë së Kosovës (ky akt nuk ishte në kundërshti me të Drejtën ndërkombëtare), morën fund edhe shpresat e fundit të Serbisë që çështja e statusit të Kosovës do të mund të rihapej.

Në kryeqendrat ndërkombëtare u vlerësua (gabimisht), që Kosova dhe Serbia, tashti që tema e statusit mori fund një herë e përgjithmonë, duhet të hyjnë në një fazë tranzitore, pak vjeçare, përmes bisedave fillimisht teknike e pastaj politike, për normalizimin e marrëdhënieve, të cilat patjetër do të duhej të merrnin epilogun në trajtë të një Akordi ndërkombëtar ligjërisht detyrues, në qendër të të cilit do të ishte njohja reciproke.

Supozohej që bisedimet si të tilla, me përfitimet e mëdha për te dy palët (anëtarësimi në BE, në ndërkohë përkrahje e mëdha financiare përmes Fondeve IPA), do të ecnin natyrshëm drejt këtij epilogu të supozuar.

Por parallogaritjet për këtë dialog nuk merrnin parasysh fare mundësinë që politika dhe shoqëria serbe mund edhe të mos ecën në drejtimin e duhur, gjithsesi të arsyeshëm, sipas këtyre pritjeve në Perëndim, dhe që në anën tjetër, Evropa mund të pësojë disa goditje të rënda të njëpasnjëshme (popullizmi, BREXIT-i, kriza e refugjatëve, lufta e parë në Ukrainë, në vitin 2014, agresioni rus në Ukrainë, në vitin 2022), të cilat do t’i ndryshojnë me të madhe rrethanat e këtij dialogu.

Në kontekstin e kësaj analize të shpejtë të rrjedhës së dialogut në mes të autoriteteve të dy shteteve, mund të thuhet që sot jemi më larg nga arritja e cakut të definuar qëmoti për ‘normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë’, se sa që kemi qenë dhjetë vjet më parë.

Aktet e çmendurisë (siç u klasifikua ai i ndaljes së autobusëve me udhëtarë nga Kosova), janë bërë aq të shpeshta nga ana e pushtetit të Serbisë, saqë dikush me sens të cinizmit këtu do të mund të thoshte që çmenduria është normaliteti i ri në relacionet e Serbisë me Kosovën.

Kulminacioni i kësaj çmendurie ishte rasti i Banjskës, i shtatorit të vitit të kaluar, me atë sulmin e grupit paramilitar serb, me ç’rast u vra një polic i Kosovës (Afrim Bunjaku), dhe pësuan tre pjesëtarë të këtij grupi.

Natyrisht, çmenduria tjetër që është vazhdimësi e kësaj ngjarjeje është që kryeprotagonisti i këtij sulmi, apo, Milan Radoiçiq, atëbotë madje Nënkryetar i ‘Listës Serbe’, sot e kësaj dite shëtitet i lirë nëpër Serbi, edhe pse penalizimi i tij dhe i gjithë këtij veprimi është konstantë e kërkesave të kryepolitikanëve perëndimor, siç ishte edhe kur pak ditë më parë Presidenti i Francës Emmanuel Macron priti në Paris Presidentin e Serbisë Alleksandar Vuçiq.

Kush mund të shpresojë që mund të ketë dialog të mirëfilltë në mes të Kosovës dhe Serbisë, teksa pala serbe nuk është e gatshme ta zbardhë deri në fund çmendurinë e Banjskës, e cila ishte kërcënim për paqen dhe sigurinë në këto anë të Ballkanit?

Përgjigjen në këtë pyetje e dinë të gjithë. Pa dyshim.