Ç’më shtyu të punoj 20 vjet në dokumentarin dhe librin “Sopoti

Shkruan: Xhafer Ymeri

Si çdo sopotas, edhe unë gjithmonë barta me vete kujtimet e dhimbshme të vdekjes tragjike të 64 burrave dhe djemve, martirëve sopotas në nëntorin e kobshëm të vitit 1944. Atëherë Sopotin e kishte përfshirë pikëllimi, varfëria dhe frika edhe nga më e keqja. Për këte arsye Sopoti dhe sopotasit, si shumë bashkëkombas dhe bashkëbesimtarë të vetë, përjetuan edhe një dhimbje të madhe, shpërnguljen e tyre për në Turqi.

Si fëmijë, nga çdo tubim grash apo burrash dëgjoja rrëfimet e tyre rrëqethëse të përcjella me vaj dhe lot në sy. Atëherë mësova dhe u binda për dhimbjen që kishte përjetuar dhe ndiente Sopoti.

Qysh atëherë edhe pse si fëmijë ndjeja një përgjegjësi dhe detyrë për të nxjerrë në dritë së paku një pjesë të së vërtetës mbi vrasjen e panjerëzishme dhe të pashpirt, mbi Masakrën e Sopotit nga ana e një grupi të bashkëfshatarëve tanë dhe Sllavokomunistët nga fshatrat fqinje të përkrahur nga komandantët e tyre. Gjithë këta me duar të përgjakura dhe ndërgjegje çnjerëzore jo që nuk shprehën asnjëherë keqardhje dhe pendim për krimet e tyre, por edhe u shpërblyen dhe dëkoruan. Edhe më e dhimbshme ishte se gjatë gjithë kohërave, Sllavo-komunistët përkundrazi krenoheshin për veprat e këtilla të çnjerëzishme dhe me të gjitha mënyrat e penguan daljen në dritë të kësaj të vërtete të dhimbshme dhe të paharrueshme për ne dhe gjeneratat e ardhshme, për gjithë njerëzimin.

Qëllimi im ka qenë, që përmes këtij dokumentarit filmik dhe këtij libri, ta përjetësoj mallin dhe kujtimin për një pjesë të tmerrshme të historive tona familjare që u bënë histori të vuajtjeve dhe tragjedive shqiptare në përmasa kombëtare…

Për çdo vepër të fqinjësisë së mirë dhe njerëzore të bashkëfshatarëve tanë maqedonas apo serbë apo të njëjtëve nga fshatrat tjera, edhe të atyreve nga radhët e ushtrisë Jugosllave apo Bullgare, rrëfyesit e dokumentarit flitnin me shumë nderë dhe mirënjohje. Unë isha sa krenarë aq edhe i lumtur për shpirtbardhësinë e tyre që ky dokumentar ta përmban dhe ta nxjerrë në jetë porosinë se edhe veprat e mira edhe ato të këqijat mbeten të përjetshme dhe të paharrueshme!!!

Me këtë vepër modeste i kemi përfshirë vetëm disa rrëfime të mundshme për këtë masakër e që na jep shpresë për mirëkuptim se jemi përpjekur të bëjmë diçka ndaj paraardhësve tanë dhe me këtë të kemi ndoshta një ndërgjegje më të ngushëlluar edhe ndaj pasardhësve tanë..
Andaj gjithë ata te të cilët nuk arritëm dhe ata të cilët kanë pasur çka të thonë për këtë dokumentar i lusim për mirëkuptim.
Në vitin 1996, edhe pse në mërgim s’mundja t’i harroja kujtimet e fytyrave me sy të përlotur dhe dënesjeve nga shpirti të grave dhe burrave, bijave dhe bijve, motrave dhe vëllezërve, nënave dhe baballarëve, farefisit të tyre. Jo rastësisht mu në këtë kohë…atëherë kur frynin erëra trishtuese dhe të kobshme për kombin tonë dhe jo vetëm…sikur doja që nëpërmjet të këtyre rrëfimeve dëshmuese t’i përkujtoj bashkëkombasit dhe bashkëbesimtarët tanë dhe gjithë njerëzimin me të kaluarën e cila nuk duhej të përsëritet, por për fat të keq para pak viteve na u përsërit edhe si më e kobshme dhe më e dhimbshme…

Këtë detyrë e mora në emër të të gjithë të masakruarve, në emër të së vërtetës, në emër të njerëzimit dhe në emër të Zotit me të cilin isha, jam dhe do të jem gjithmonë i pandashëm!!!