Clark: Mënyra se si i kam parë unë ngjarjet është se Çeku ka qenë personi përgjegjës

Gjatë pyetjeve të tij, Prokurori Matt Halling ia prezantoi dëshmitarit Ëesley Clark një pjesë të librit të gjeneralit Mike Jackson nga një takim me Hashim Thaçin dhe komandantët e zonave përpara se të përfundonte demilitarizimi i UÇK-së.

Në libër, Mike Jackson fliste për periudhën pak momente përpara se Clarku të bëhej pjesë e këtij takimi.

Në këtë rast, ai kishte treguar se Thaçi i inatosur i pati thënë se askush nuk mund të luante me UÇK-në, raportoi “Betimi për Drejtësi”.

“Negociatat u bënë shumë të tensionuara…Thaçi na tha i inatosur ‘askush nuk luan lojëra me UÇK-në’. Ai na bërtiti duke e thënë këtë gjë. Në qoftë se ju mendoni se mund të na jepni ju udhëzime, atëherë e keni gabim dhe do ju vijë keq për këtë”, lexoi prokurori nga libri i Jackson.

Clarku tha se me shumë gjasa ka qenë i informuar për këtë gjë dhe Jacksoni do t’ia ketë thënë.

Më tej ai u pyet nëse është e vërtetë që Hashim Thaçi ka pasur kompetencë politike që ka qenë e ndryshme nga kompetenca apo autoriteti i ushtarëve me të cilët ai fliste.

Ai shtoi se siç i ka parë ngjarjet ai, Agim Çeku ishte përgjegjës.

“Flitej për një organizatë rezistence që kishte mbështetjen e NATO-s dhe ndjesia ishte që Serbia do të dëbohej… Mënyra se si i kam parë unë ngjarjet është se Çeku ka qenë personi përgjegjës… Thaçi ishte person ambicioz, i artikuluar, i prezantueshëm, por sa i takon kontrollit, pa diskutim se nuk ka pasur kontroll, absolutisht nuk e kam parë një gjë të tillë. Bëhej fjalë për grupe individuale që thjeshtë po luftonin për mbijetesën e tyre”, është shprehur ai.