Çka tregon harta e Trumpit për kontrollin izraelit në Gazën e pasluftës

Shtëpia e Bardhë ka publikuar të hënën një hartë që tregon linjat e ndryshme të tërheqjes së trupave izraelite nëse plani i paqes i Donald Trumpit për Gazën do të zbatohet.

Edhe pse harta duket disi e përafërt, për shembull, kufiri jugor i Gazës me Egjiptin nuk është në të vërtetë aq i drejtë sa është paraqitur, ajo jep një ide se çfarë do të thotë ky plan paqeje për territorin palestinez.

Nëse plani i paqes do të ndiqte kufijtë e treguar në hartën e Shtëpisë së Bardhë, tërheqja fillestare e ushtrisë do ta linte Gazën rreth 55% të pushtuar.

Tërheqja e dytë do ta linte atë rreth 40% të pushtuar.

Dhe faza përfundimtare e tërheqjes, e cila do të krijonte një “zonë neutrale sigurie”, do të linte rreth 15% të Gazës të pushtuar nga ushtria izraelite (IDF), raporton BBC.

Plani i paqes specifikon se “prania e perimetrit të sigurisë” do të mbetej derisa Gaza të “sigurohej siç duhet nga ringjallja e çdo kërcënimi terrorist”.

Harta gjithashtu tregon një “vijë kontrolli aktuale” të IDF-së, por kjo hartë nuk përshtatet me analizën e zonave nën urdhra evakuimi ose zona të caktuara të militarizuara.

Versioni më i fundit i hartës së vetë IDF-së tregon zonën që ushtria izraelite e quan “zonë e rrezikshme luftimi” e cila mbulon rreth 80% të Gazës. Gjithashtu tregohet pjesa e Gazës jugore që ajo e përshkruan si “zonë humanitare”.