Çka po thotë Dukagjini?!

Shkruan: Avni Zogiani

Me Dukagjin Goranin kam punuar plotë 8 vite. E njof relativisht mirë. Ai ka qenë gjithmonë i shkathët në paraqitje dhe ka njëfarë karizme që rrallëkush e ka në Kosovë. Mirëpo, ajo që gjithmonë më ka rënë në sy ka qenë fakti se ai nuk ka bindje politike. Nuk ka besim, sidomos tek shoqëria që i takon. Ai gjithmonë ka folur me përçmim e mosbesim për çkado që është “e vendit”, dhe ka idealizuar e tejvlerësuar gjithçka që është e huaja.
Në paraqitjet e tij nëpër debate, Dukagjini është besnik i vetëm një argumenti. “Ne nuk mundemi; ne nuk dijmë; ne duhet veç të dëgjojmë tjerët (kryesisht amerikanët)”.

Mund ta respektoja ktë qëndrim, por madje as këtë ai nuk e ka bindje. Dukagjini e ka fort për qejf injorancën në politikë dhe bashkëpunimet e tij “më të ndritshme” i ka pikërisht me politikanë që thonë “ndale kamerën” kur pyeten për librin e fundit që kanë lexuar. Ky është ambienti ideal i Dukagjinit, sepse në këtë ambient ai impresionon. Me një stil të jashtëzakonshëm ktë lloj të politikanit ai e lë gojëhapur. Shkathtësia e tij për ta trullosur këtë lloj audience e bën atë të ndihet si në skena teatri. Ekzagjëron, hiperbolizon, hipnotizon.

Pse po merrem me të? Ai është ideologu i një numri të madh të njerëzve që krijojnë opinion publik. Moderatorë, gazetarë, besa edhe politikanë, që s’kanë përgaditje e dëgjojnë, e kopjojnë, e multiplifikojnë atë.

Ku përqëndrohet angazhimi dhe argumentimi i Dukagjinit? Përveç se “ne nuk mundemi; ne nuk dijmë; ne duhe thjesht të dëgjojmë”, Dukagjini thotë edhe se “të gjithë janë të korruptuar; Kosova s’mundet pa Serbinë; shqiptarët janë budallenj-serbet jo!”.

Sot e dëgjova atë disa minuta. Në këtë debat ai bën thirrje për opozitën që t’mos bashkohet në përpjekjen për ta ndalur “Zajednicën”, dhe argumentin për ktë e ka për gjynah. Thotë, VETËVENDOSJE! po flet për epokën e korrupsionit në sektorin publik, dhe prandaj me plot inatë thotë, nuk bën që opozita të bashkohet në përballimin e presionit tashmë qartazi të njëanshëm diplomatik ndaj Kosovës.

Ai madje shkon më tutje, duke shpërdoruar fjalën “fashizëm” kur i referohet video-mesazheve të VETËVENDOSJE për qeverisjet e korruptuara në këto 10-15 vitet e fundit. Këtu pra e takon inatin fundamentalist të Dukagjinit. Në shpërdorimin e termave. Quan fashizëm videot mbi terminalet doganore të dhëna në marrëdhënje direkte klienteliste të politikës para qeverisjes së VETËVENDOSJE!. Ai e bën këtë i inatosur, dhe i bie që lutet që Kosova t’mos ketë kapacitetin për t’iu rezistuar kërkesave të Serbisë që vijnë nëpërmjet dialogut, vetëm pse Dugi ka një jetë që e lufton Albin Kurtin.

Edhe s’ka faj. Aq shumë ka depozita në këtë linjën e kompromiseve të pafund në favor të Serbisë saqë çfarëdo përfitimi i Kosovës në dialog frikësohet që e nxjerr atë cullak. Zhbëhet një jetë e debatit e argumentimit të Dugit, gjithçka, përnjëherësh! Këtë frikë e ka ai, sepse ai është i bindur që i di gjërat. E për shkak se është inatçor fort i madh, gjërat duhet të përfundojnë siç i di ai.

*Avni ZOGIANI, eshte gazetar dhe publicist nga Prishtina