Çka në rast përshkallëzimi? Stoltenberg: Mund të dërgojmë më shumë trupa në Kosovë

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka pritur sot në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në selinë e NATO-s, që ndodhet në Bruksel.

Pas takimit, ata kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp, me ç’rast Stoltenberg ka ritheksuar se NATO do të ndërmarrë çdo veprim, në mënyrë që të sigurohet paqja dhe stabiliteti në Kosovë, njofton Klan Kosova.

I pyetur se çfarë duhet të ndodhë në mënyrë që KFOR-i të intervenojë në Kosovë, Stoltenberg ka treguar se tani NATO ka më shumë se 4 mijë trupa në Kosovë dhe në rast të ndonjë përshkallëzimi, NATO mund të nisë edhe më shumë trupa.

“Duhet të nisemi nga fakti që NATO është në Kosovë me më shumë se 4 mijë trupa. Kjo tregon përkushtimin tonë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

“Nëse nevojitet, ne mund të sjellim më shumë trupa nëse është nevoja, siç kemi parë të ketë ndodhur në javën e kaluar”.

“Do të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme që ta shmangim ndonjë përshkallëzim”.