Çka është Kalendari Historik?

Shkruan: Blerim Shala

Kalendari i historisë dhe i politikës nuk është i njëtrajtshëm, si ai i cili mat kohën.

Lenini këtu së paku ka pasur të drejtë. Mund të kalojnë decenie të tëra, pati thënë ai, kur në histori nuk ndodhë gjë. Por, pastaj, për pak ditë apo javë, shfaqen ngjarjet që i japin drejtim decenieve (apo edhe shekujve) në politikë dhe në histori.

Data e kësisoj që nisi Shekullin e tashëm (XXI), e pranuar gjithandej, është 11 shtatori i vitit 2001, pas sulmeve të Al Qaeda-s në Washington dhe në New York.

Bota, asokohe, ishte ende unipolare (e dalë apo e krijuar me një tjetër datë të këtillë, me 9 nëntor të vitit 1989, me rrënimin e Murit të Berlinit), SHBA-ja ishte në Zenitin e fuqisë së saj politike, ushtarake, ekonomike, financiare.

Vlerësimi se çfarë ndodhi me 11 shtator, nuk u kundërshtua prej askujt prej aktorëve shtetëror në Botë.

Kjo nuk ishte sepse e vërteta e ishte e qartë, e pastër, brutale. Të vërtetat e mirëfillta nuk kryejnë shumë punë në histori dhe në politikë. Ne, shqiptarët e dimë këtë mirë, sepse ishim në posedim të një vërtete të këtillë prej nëntorit të vitit 1912 (kur Kosova u okupua nga Serbia) deri në qershorin e vitit 1999 (kur u çliruam).

Vlerësimi konsensual për 11 shtatorin ishte mbi të gjitha reflektim i fuqisë amerikane.

Gati njëzet vjet më vonë, na del para një tjetër datë vendimmarrëse historike. Me 30 gusht të vitit 2021, ushtarët e fundit amerikan do të tërhiqen nga Afganistani. Ishte ky përfundimi i luftës më të gjatë në historinë e Amerikës (pakkush e di këtë).

Njëzet vjet më parë, Amerika hyri në luftë për ta ndryshuar thelbësisht këtë pjesë të Botës.

Kur të hënën e 30 gushtit, forcat e mbrama amerikane braktisën Kabulin, çfarë lanë më pas ishte një vlerësim që kjo pjesë e Rruzullit tokësor nuk mund të ndryshohet. Kurrë.

Bota e gushtit të vitit 2021 nuk ishte as hija e asaj të fillimit të shekullit.

Jo që më Amerika nuk ishte ‘in charge’, por, për më shumë, askush më nuk ishte në pozitë ta trashëgojë SHBA-në në këtë ‘fron’. U shfaq, për herë të parë që nga 9 maji i vitit 1945 (sërish kemi të bëjmë me datë kapitale në atë Kalendarin e historisë, kur mori fund Lufta e Dytë Botërore), apo që nga koha kur dy Perandori morën në dorë Botën (SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik), një Botë multipolare, e ndërlikuar tej mase.

Sipas John Mearsheimer-it, një njohësi të shkëlqyeshëm të politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, multipolariteti është rendi më i rrezikshëm ndërkombëtar, kur luftërat janë të pritshme, dhe kur vetëm ‘Baraspesha në mes të fuqive’ mund ta mbajë paqen.

Për dallim prej 11 shtatorit në New York dhe në Washington, si dhe interpretimeve identike anekënd Botës për këtë ngjarje, nuk pati, të thuash, as dy qëndrime të njëjta se çfarë domethënie për Rendin ndërkombëtar do të ketë 30 gushti i Kabulit.

Këtu, në këtë datë zatën është ‘Origjina’ e të gjitha ngjarjeve relevante që pasuan në ndëkohë në fushëbetejat ushtarake, politike, ekonomike dhe financiare në të katër anët e Botës.

Kundërshtarët e natyrshëm të Perëndimit (si koncept qytetëruese dhe politik), ngarendën të konludojnë që SHBA-ja është në tatëpjetën e saj historike dhe që tash e tutje, do të ketë vetëm tërheqje dhe zmbrapsje të Amerikës dhe të Perëndimit.

Ky interpretim i cili zatën mbizotëroi edhe në Moskën zyrtare (të Vladimir Putinit), ishte vendimtar që në Kalendarin historik të shfaqet data e 24 shkurtit (të vitit 2022), kur Rusia invadoi Ukrainën.

Natyrisht, ishte kjo sfidë e madhe për SHBA-në dhe Perëndimin, e cila determinoi atë mobilizimin e paparë në kuadër të Aleancës Veri-Atlantike për ta mbrojtur Ukrainën.

Rënia e Ukrainës do të kishte pasoja të parashikueshme për këtë krah të Evropës, e pastaj (mbase), për gjithë Evropën.

Pa marrë parasysh se çka do të ndodhë ditëve dhe javëve të ardhshme në luftën në mes të Izraelit dhe Hamasit në Gaza, vështirë është të shmanget konkludimi që ky konfrontim që nisi me 7 tetor, me sulmin e kombinuar ushtarak dhe terrorist të Hamasit mbi Izraelin, është një tjetër pasojë e Luftës në Ukrainë dhe e bindjes së shteteve kundërshtare të SHBA-së (Iranit, në radhë të parë, në këtë rast), që Amerika gjendet në muzgun e ‘mandatit’ të vet historik dhe politik.

Në këtë lëmshin e madh dhe të përgjakshëm historik, Kosova e ka të qartë se ku qëndron.