Çka deklaroi dëshmitari i 64-të në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së?

Dëshmitari i 64-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Johan Fritsch, ka filluar të japë dëshminë e tij, duke shtuar një këndvështrim të ri rreth ngjarjeve që po shqyrtohen.

Ish-ushtari profesionist, i cili ka arritur gradën e rreshterit para pensionimit, u pyet nga prokurorja Vega Iodice.

Në përmbledhjen e lexuar nga prokurorja u përfshinë detaje të dislokimit të dëshmitarit në Kosovë si zyrtar për shtyp brenda kontingjentit të KFOR-it dhe pjesëmarrjes së tij në operacionet në ndërtesën e MUP-it në Prizren.

“Dëshmitari 03881 ishte i pranishëm kur forcat e KFOR-it intervenuan për të lirore të ndaluarit në ish-ndërtesën e MUP-it, e cila ishte zaptuar nga pjesëtarët e UÇK-së,” shtoi prokurorja Iodice.

Gjatë dëshmisë, u theksua se dëshmitari kishte parë trupin e pajetë të një të ndaluari dhe kishte dokumentuar me fotografi jo vetëm atë skenë, por edhe episodet e dhunës ndaj pakicave serbe dhe rome në Prizren.

Ai pohoi se gjithçka e shënuar në ditarin e tij ishte e vërtetë dhe bazuar në vëzhgimet e tij të drejtpërdrejta.

Në një moment tronditës, dëshmitari rrëfeu se ishte hasur në mjete të torturimit që, sipas tij, ishin përdorur nga MUP-i dhe më vonë nga UÇK-ja në të njëjtën ndërtesë.

“Evidence të tilla përfshinin mjetet e torturës të cilat ishin në dispozicion të MUP-it dhe më pas u përdorën nga UÇK-ja,” shpjegoi dëshmitari përpara trupit gjykues.

Kryetari i trupit gjykues lajmëroi se dëshmia e Fritsch do të zgjasë një ditë, me 45 minuta të caktuara vetëm për pyetjet e prokurorisë. Seanca u mbyll dhe do të vazhdojë nesër me vazhdimin e dëshmisë së tij.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.