Ç’janë gjithë këto vrasje në Shkupin shqiptar?

Shkruan: Fitim Nuhiu

11.02.2025

 

Nuk kalon java, madje ndonjëherë edhe dita pa ndodhë ndonjë rrahje, bela e duke përfunduar deri te vrasjet mes shqiptarëve në lagjet dhe komunat e Shkupit tonë shqiptar.

Këto gjëra sikur na janë bërë rutinë dhe më s’po na bëjnë as përshtypje. Sikur ndërgjegjës sonë i kanë humbur sensorët reagues për të keqen që ka kapluar mjedisin tonë shqiptar mysliman.

Këto rezultate dhe pasoja që po i shohim çdo ditë, sikur nuk korrespondojnë dhe nuk asocojnë me atë që tërë kohës popullata e kësaj ane ekspozohet para ligjëratave dhe predikimeve të klerikëve fetarë, shoqatave të ndryshme fetare për edukim dhe kulturë dhe jo vetëm. Madje mendoj se tashmë sikur po jepen me tepri dhe po e bëjnë efektin e kundërt. Rezultatet po na thonë këtë gjë, jo që unë po e gjykoj si të tillë.

Ato mësime për një jetë ideale (për vete dhe për tjetrin), nuk e di se ku po përfundojnë, ndoshta në botën utopike, pikërisht siç është idealja, veçse, që nuk janë duke funksionuar, e nuk po e gjejnë terrenin e duhur, këtë gjë po e shohim çdo ditë e më shumë.

Pyes veten, pse këto gjëra nuk po ndodhin te pala maqedonase (duke mos ia uruar një gjë të tillë, të kuptohemi, mirëpo sa për analogjinë tonë për këtë fenomen social) se përse vetëm te ne këto fenomene negative po ndodhin (fjala është sasia e këtyre ngjarjeve të kronikës së zezë). Mos ndoshta na mungon edukimi qytetar, kultura dhe mendësia urbane, fjala vie, sesi të sillemi në rrugë, në shkollë, në punë, ndërtimi i raportit me ‘tjetrin’ (kupto mes vete), e gjëra të tilla, që sikur po na mungojnë ditët e sotme, ose thënë më saktë, që na kanë munguar qysh herët dhe akoma s’po bëjmë përpjekjet minimale për të ndryshuar gjendjen tonë të brendshme, e si pasojë që të ndryshohet gjendja edhe jashtë vetes sonë.

Kush është përgjegjës për këtë rrethanë që gjendemi, kësaj pyetje s’po i hymë, sepse ka shumë faktorë të brendshëm e të jashtëm, theksi bie më shumë në mos shkollimin tonë, ndryshe nga fqinjët tanë, etj, etj.

Përsëri dalim në temën dhe diskutimin e madh dhe të gjerë, se sot, a na mungon fetaria apo qytetaria neve si popull? Mendoj se kjo e fundit ha diskutim më favorizues.