Zgjedhjet e reja parlamentare janë të pashmangshme dhe mund të mbahen në fund të vitit 2025, thotë sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Ajo në një intervistë për KosovaPress thekson se në krizën aktuale politike, zgjedhjet e reja janë të paevitueshme, mirëpo fillimisht duhet të pritet vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese se çfarë hapa duhet të ndërmerren për Kuvendin e Kosovës. Megjithatë, ajo shton se teknikisht është e pamundur që zgjedhjet e reja parlamentare të mbahen para përfundimit të balotazhit për zgjedhjet lokale.
Kosova s’ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Gjykata Kushtetuese më 5 shtator ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, përmes së cilës ua ndalon deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të ndërmarrin veprime ose të procedojnë për formimin e qeverisë së re, pas ankesës së Listës Serbe, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.
Lexo po ashtuHasani kritikon Osmanin për deklaratën rreth Trumpit: E pavend dhe e papjekur politikishtÇitaku e cila është zgjedhur edhe nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, thotë se Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhjet e fundit, nuk ka numrat për të formuar shumicën parlamentare.
“Në momentin në të cilin jemi, konsideroj që zgjedhjet e reja parlamentare janë bërë të pashmangshme. Është humbur shumë kohë. Zoti Kurti i ka humbur Kosovës jo vetëm këto muaj prej kur jemi pa institucione, por i ka humbur vite të tëra. Në vazhdimësi ka vendosur popullizmin në vend të qeverisjes së përgjegjshme dhe në vend të koordinimit me aleatët, gjithmonë ka zgjedhur konfrontimin…22:16 Fillimisht duhet të presim të shohim se çfarë do të na thotë Gjykata Kushtetuese dhe cilët janë hapat që parashihen të merren nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Mirëpo, siç e lexoj situatën deri më tani, duket që do të jetë teknikisht e pamundur që ato zgjedhje të reja parlamentare të organizohen para përfundimit të balotazhit (në zgjedhjet lokale). Zgjedhjet e reja parlamentare, natyrisht, në bazë të afateve kalendarike, mund të ndodhin kah fundi i vitit”, thotë ajo.
Kuvendi i Kosovës në fund të muajit gusht pas gjashtëdhjetë tentimesh ka zgjedhur kryetarin dhe katër nënkryetarë, mirëpo jo edhe nënkryetarin nga komuniteti serb.
Përkundër kësaj, kryeparlamentari Basha ka mbyllur seancën konstituive dhe ka kërkuar që të rrjedhin afatet ligjore për formimin e qeverisë së re.
Kjo bëri që Lista Serbe të ankohet në Kushtetuese, derisa kontestoi edhe shmangien nga praktika e kaluar të votimit në pako të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komuniteteve jo-shumicë dhe hedhjen në votim ndaras të kandidatëve nga komuniteti pakicë joserb dhe serb.
Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit, ndërkaq dhjetë deputetët e komunitetit serb nuk arritën të sigurojnë 61 votat e nevojshme për të marrë këtë post, përfshirë edhe deputetin Nenad Rashiq.
E votimi në pako i nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo-shumicë, sipas Çitakut, është i paraparë në rregulloren e Kuvendit të Kosovës, e cila është miratuar nga legjislatura e kaluar, ku shumicën parlamentare e ka pasur Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas saj, votimi në pako i nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet jo-shumicë nuk do të thotë kushtëzim apo veto e Listës Serbe për konstituim të Kuvendit, siç është theksuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe Lëvizja Vetëvendosje.
ë anën tjetër, Çitaku për KosovaPress flet edhe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ku është e bindur se PDK-ja do t’i mbajë komunat ku qeveris aktualisht, si dhe do të zgjerohet harta e fitoreve edhe në komuna të tjera, madje edhe në Prishtinë.
Krahas këtyre, sekretarja e PDK-së iu bëri thirrje secilit të ri dhe të reje në Kosovë që të kenë durim dhe të dëgjojnë nga fillimi deri në fund dëshminë e ish-ndihmës sekretarit të Shtetit Amerikan, James Rubin në Hagë, në procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Ish-diplomati amerikan për tri ditë radhazi gjatë kësaj jave dëshmoi në Hagë si dëshmitar i mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve. /KP/