Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Vlora Çitaku ka thënë se është për keqardhje që kryeministri Albin Kurti nuk ishte prezent në inaugurimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.
“Tradicionalisht në ceremonitë e inaugurimit ftohen vetëm përfaqësuesit diplomatikë, përkatësisht vetëm ambasadorët. Tani për herë të parë, presidenti Trump ka ndërprerë këtë traditë, dhe ka ftuar disa liderë shtetesh. Është për keqardhje që Kosova nuk ishte aty”, u shpreh Çitaku në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova.
Ajo shton se PDK ka raporte të mira dhe të vazhdueshme me administratën Trump, duke shtuar se këto marrëdhënie të mira nuk i kanë shkëputur asnjëherë.
“Presidenti Trump, e posaqërisht kjo administratë e dytë, nuk mund të themi se është administratë tipike republikane, është diçka tërësisht jokonvencionale, kjo po shihet edhe nga veprimet e para që janë ndërmarrë. Kemi një administratë që siç duket e ka humbur durimin në raport me partnerët evropianë, për fjalë boshe, dhe do vepra”.
“Ne nuk i kemi shuar asnjëherë kontaktet dhe bashkëpunimin që kemi pasur me administratën Trump. Ne vazhdimisht kemi qenë shumë të kujdesshëm edhe në deklarimet publike, edhe në gjuhën që është përdor ndaj aleatëve tanë. Kemi raporte të vazhdueshme”, tha Çitaku.