Çitaku: Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, pasi që Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Glauk Konjufcën si kandidat për president, ka thënë se tashmë është e qartë, që “Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total”.

“Në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike. Jo sepse nuk kishte rrugëdalje. Përkundrazi, zgjidhja ishte aty. Mundësia për marrëveshje dhe për zgjedhjen e presidentit ekzistonte. Por Kurti zgjodhi krizën. Zgjodhi përplasjen. Zgjodhi interesin e tij politik mbi interesin e shtetit”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Tutja ajo ka shkruar se Kosova dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë këtë ndëshkim që sipas saj, po ua imponon Kurti.

“Institucionet e shtetit nuk janë pronë e askujt, e aq më pak e një njeriu që e sheh pushtetin si qëllim në vetvete. Kosova është më e madhe se ambicia e kujtdo”, ka shkruar Çitaku.