Cilët politikanë po e ngrisin tezën “Kosova po i trajton serbët si Millosheviqi shqiptarët”?

Shkruan: Arbër Zaimi

Nga disa politikanë dhe analistë të dështuar po ngrihet teza se “Kosova po i trajton serbët si dikur Millosheviqi shqiptarët”. Kjo tezë sigurisht me vrap është marrë edhe nga ndonjë propagandist serb që synon ndarjen e Kosovës e më pas edhe ndarje të tjera në Ballkan.

Arsyeja e vetme pse ngrihet kjo tezë është nevoja urgjente e tyre për të mbrojtur fashizmin serbomadh në një kohë kur Vuçiqi po përpëlitet e po hedh shkelmat e fundit.

Kur nis të ngrihet kjo tezë?

Pikërisht në momentin kur:

1. Kriminelët wagneristo-fashistë të Vuçiqit dhe të Putinit me barrikadat e tyre bllokuan qytetarët serbë të Kosovës duke shkaktuar edhe vdekje të njerëzve që duhet të shkonin në spital.

2. Kriminelët wagneristo-fashistë të Vuçiqit dhe të Putinit kanë rrahur, kërcënuar dhe rrëmbyer qytetarë serbë të Kosovës të cilët kanë zbatuar ligjin në Kosovë. Kanë djegur pronat e tyre dhe kanë ushtruar dhunë në sy të fëmijëve të vegjël.

3. Kriminelët wagneristo-fashistë të Vuçiqit dhe të Putinit vazhdimisht kërcënojnë direkt çdo politikan serb që nuk i nënshtrohet linjës së tyre. Kriminelët e Vuçiqit Rada Trajkoviqin 72-vjeçare me probleme shëndetësore e bllokuan 24 orë në kufi, madje ia përndoqën edhe familjen e saj. Kriminelët e Vuçiqit e rrahën djalin adoleshent të Nenad Rashiqit. Të njëjtët para disa vitesh e vranë Oliver Ivanoviqin.

4. Kriminelët wagneristo-fashistë të Vuçiqit dhe Putinit, të cilët pjesërisht ishin integruar në Policinë e Kosovës nga qeveritë e kaluara, pasi i hoqën uniformat me urdhër nga Vuçiqi, qëlluan me armë mbi trupin e policit kosovar Ekrem Neziri, duke e plagosur. Megjithatë Policia e Kosovës nuk u hakmorr, por veproi profesionalisht duke mos plagosur askënd por duke arrestuar të dyshuarit në pritje të gjykimit.

5. Kriminelët wagneristo-fashistë të Vuçiqit dhe Putinit të cilët pjesërisht ishin integruar në Policinë e Kosovës nga qeveritë e kaluara, është vërtetuar se pagueshin mijëra euro për të lejuar kontrabandën e karburanteve dhe mallrave të tjera në kufi.

Në Kosovë nuk ka asnjë rast të diskriminimit zyrtar apo shoqëror të popullsisë serbe, me përjashtim të diskriminimit pozitiv që u jep atyre shumë deputetë të garantuar, si dhe përfaqësim joproporcional në të gjitha nivelet e në të gjitha institucionet. Serbët janë të integruar edhe në qeveri, dhe qeveria dialogon me serbët lokalë. Të vetmit me të cilët nuk dialogon qeveria janë kriminelët wagneristo-fashistë të Vuçiqit dhe Putinit. Pretendimi i tyre, se përfaqësojnë popullin serb në Kosovë, rrëzohet nga vetë dhuna që ata kanë ushtruar së fundmi ndaj atyre qytetarëve. Nuk mundet asnjë pengmarrës të pretendojë se është përfaqësues i pengjeve që i mban nën kërcënimin e armëve.