Cilësia e autostradave, Maqedonia renditet ndër shtetet e fundit

Maqedonia renditet në vendin e katërt me 9.4 metra autostradë për kilometër, apo 242 kilometra të rrugëve të shpejta dhe pa telashe për udhëtim si autostrada Shkup-Gostivar, Shkup-Shtip dhe Kumanovë-Gjevgjeli. Në vendin e pestë renditet Kosova me 15.6 metra autostradë në një kilometër katror apo me 170 kilometra gjithsej

Maqedonia renditet ndër shtetet e fundit sipas rrjetit të ndërtuar të autostradave në rajon. Në Ballkan, si shtet kemi më pak autostradë në një kilometër katrorë vetëm se Bosnje e Hercegovina dhe Kosova. E para në listë me 23.2 metra të autostradës për kilometër është Kroacia që në fakt ka 1314 kilometra autostradë që mund të përdorin vozitësit. E dyta me 12.4 metra për kilometër është Serbia që ka 962 kilometra autostradë dhe e treta është Sllovenia me 34.1 metra autostradë për kilometër, apo 692 kilometra të akseve rrugore moderne me gjashtë korsi.

Maqedonia renditet në vendin e katërt me 9.4 metra autostradë për kilometër, apo 242 kilometra të rrugëve të shpejta dhe pa telashe për udhëtim si autostrada Shkup-Gostivar, Shkup-Shtip dhe Kumanovë-Gjevgjeli. Në vendin e pestë renditet Kosova me 15.6 metra autostradë në një kilometër katror apo me 170 kilometra gjithsej.

Premtimet janë se në vitin 2021 do të lëshohet në përdorim autostrada Kërçovë-Ohër e gjatë 57 kilometra, ndërsa në vitin 2023 është premtuar se do të përfundohet autostrada Shkup-Bllacë. Është planifikuar që në vitin 2020 të fillojë të ndërtohet edhe autostrada Gostivar-Kërçovë në gjatësi prej 42 kilometra me vlerë prej 102 milionë euro. Ky aks rrugor do të ndërtohet në tre faza dhe do të financohet nga kredi të jashtme. Për këtë aks rrugor janë siguruar mjete të pakthyeshme evropiane në vlerë prej 20 milionë euro, derisa afër 80 milionë euro pritet të jenë kreditë e buta të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe 6 milionë euro do të jenë financime nga arka e shtetit. Nga ana tjetër, Shqipëria që më parë as nuk pasur autostrada, ka ndërtuar autostradën Tiranë-Durrës, me gjatësi 34 kilometër, atë Tiranë-Elbasan me gjatësi 27 kilometër, Levan-Vlorë me gjatësi 24.5 kilometra. Autostrada Kukës-Morinë e gjatë 114 kilometra në fakt akoma nuk është e përfunduar tërësisht. Segmenti nga Kukësi deri në doganën e Morinës ishte një nga pjesët e mbetura të papërfunduara të autostradës Durrës-Kukës që u finalizua në verën e vitit 2019. Problemi kryesor ishte mos përfundimi i shtatë urave, të cilat pengonin lëvizjen e mjeteve në të dyja korsitë e rrugës. Akoma ka mbetur edhe pak kilometra që kjo autostradë të rrumbullakësohet. Autostrada Rrogozhinë-Lushnjë-Fier prej 81 km është përfunduar pjesërisht, ndërsa autostrada Baldushk-Elbasan-Kuçovë-Berat-Memaliaj prej 125 km është në ndërtim e sipër dhe pjesërisht është në planifikim.

Mali i Zi akoma ka në ndërtim e sipër autostradën që do të lidh këtë shtet me Serbinë përmes autostradës Bar-Boljare që nuk ka ndërtuar kilometrat e para. Kostoja e një terreni mjaft të vështirë malor me ura dhe tunele në fund pritet të jetë afër një miliardë euro apo 890 milionë euro – që në fakt nënkupton se një kilometër do të kushtojë 21.7 milionë euro. Ndryshe, ekspertët vlerësojnë se ndërtimi i rrjeteve moderne të rrugëve varet mjaft edhe nga fluksi i transportit ndërkombëtar të veturave dhe kamionëve, terrenit të rrafshët apo malor, ndërlidhjes me korridoret evropiane tetë dhe dhjetë,orientimit strategjik të shtetit që të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe turizmin, mundësive materiale dhe hyrjes në borxh për të ndërtuar rrugë të reja etj.