Cilat subjekte politike “financohen nga qarqe ruse”, z.President?

Shkruan: Fejzi HAJDARI

Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, duke iu përgjigjur ministrit të Jashtëm rus Sergej Lavrov, tha se Rusia vazhdon të ndërhyjë në punët e brendshme në Maqedoninë e Veriut dhe se disa subjekte politike në Shkup, financohen nga qarqe ruse.

“Të gjitha institucionet shtetërore e dinë se Rusia ndërhyn në punët tona të brendshme. Herën e fundit me pjesëmarrje intensive përmes njerëzve të vet, subjekteve të veta politike, instalacioneve të veta. Nga fqinjët vijnë njerëz që janë agjentë ruse….

S’mund të zbuloj publikisht se nga vijnë saktësisht, sepse këto janë informacione të ndjeshme…”, tha Pendarovski. Sipas tij, organet kompetente kanë informacione për persona që kanë ardhur për të provokuar protestat e fundit qytetare, por edhe për financimin e “disa subjekteve politike”.

Në të njëjtën kohë, Pendarovski nuk zbulon se për cilat subjekte bëhet fjalë, por thekson se janë “disa subjekte në korrelacion të drejtpërdrejtë me Moskën disa vite më parë”.

Pyetja tani që nuk mund edhe aq lehtë të anashkalohet është se: A ka edhe ndonjë subjekt politik shqiptarë që mund të jetë pjesë e këtij financimi nga qarqe ruse? Natyrisht se nuk mund të pohohet e mohohet një gjë e tillë, sidomos tani kur Maqedonia është bërë pjesë interesimit të shumë shërbimeve të huaja… “pro et contra”, pas zhvillimeve te fundit politike me Bullgarinë per tejkalimin e problemit me gjuhën.

Botërisht e mirëfilli dihet se disponimi politik shqiptarë, gjithmonë ka qenë ‘pro’ SHBA’ve e shteteve perëndimore në përgjithësi. Mirëpo kohëve të fundit, raportimi tendencioz dhe hapësira e madhe informative mediatike në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë, e cila i rezervohet (jepet) deklaratave tendencioze të presidentit serb Aleksandar Vuciq, Dodikut të Republika Sërpskës, si dhe ministrt të brendshëm serb Vulin, dhe sidomos lajmeve që dekurajojnë qytetarët shqiptarë për perspektivën e euro-atlantike të vendit, sikur ta mbjellin frikën dhe dyshimin për atë që thotë presidenti Pendarovski.

Sepse, prapa pothuajse të gjitha mediave të Prishtinë dhe Tiranë, qëndron një subjekt i caktuara politik. E njëjta filozofi ‘kultivohet’ edhe në Maqedoninë e Veriut (MV). Pra edhe Shkupi në këtë rast nuk bënë përjashtim.

Mjafton t’i bësh vetes disa pyetje që të dalësh tek një konstatim qoftë edhe i pabazuar, por që përputhet me vijën e përgjithshmë probagandistike të cilën e bën Moska e Beogradi. Po ç’lidhje kanë në këtë mes, mediet në Maqedoninë e Veriut (maqedone dhe shqipe)?
Natyrisht që kanë, gjithnjë duke u bazuar në raportimet ose Opinionet tendencioze të proklamuara vazhdimisht media e që janë jokompatibile me parimet e politikave integruese euro-atlantike në mediat e caktuara edhe nëpërmjet të të ashtuquajturve “honorar-analistëve”.

Të tillët, në këtë kontekst sikur mbjellin defetizëm dhe disfatizëm. Më shumë ç’ndihmojnë, sesa ndihmojnë kauzat. Mjafton të shikohen temat triviale dhe margjinale, të cilat mediat (lexo: partitë politike) ua imponojnë ose ua servirin qytetarëve në momentet shumë të ndjeshme për zhvillimet politike. Bombardim psikologjik…

Me këtë konstatim e dilemë hipotetike, më shumë dua të alarmojë sesa të shpalosë informacione, për rrezikun nga financimin i “disa subjekteve politike” (mendojë se edhe serbe v.j., qofsha i gabuar) qarqe ruse. Financimi i tillë do të shkaktonte kaos dhe konfuzion të vërtetë në Shkup, por edhe gjetiu. Ju e dini se për nga “fake news” ata janë “superior”. Paramendoni në Beograd kur filloi invazioni i Rusisë në Ukrainë, një ndër gazetat me relevancë, doli me titullin më të çmendur qëkur unë mbajë në mend: Ukraina e sulmoi Rusinë!

Me këtë dua të përmendi vetëm efektin propagandistikë, të cilin subjektet e caktuara politike dinë ta luajnë në mënyrë maestrale nëpërmjet mediave të cilave iu qëndrojnë mbrapa. Prandaj, kujdes çfarë po lexoni dhe ku po lexoni?!