Cilat janë punët më të paguara në Shqipëri?

Paga mesatare mujore bruto në Shqipëri arriti në 84 mijë lekë gjatë vitit 2025, nga 77.4 mijë lekë një vit më parë, sipas të dhënave të INSTAT, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, diferencat mes sektorëve mbeten të mëdha. Të dhënat e përpunuara nga “Monitor” tregojnë se punonjësit e institucioneve ndërkombëtare përfitojnë pagat më të larta në vend, me një mesatare prej 189 mijë lekësh në muaj (afërsisht 2 mijë euro), ose më shumë se dyfishi i pagës mesatare kombëtare.

Pas tyre renditen sektori i financave dhe sigurimeve me një pagë mesatare prej 160 mijë lekësh, ndërsa sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (IT) zë vendin e tretë me 127.4 mijë lekë në muaj.

Ndër sektorët me paga mbi mesataren kombëtare janë edhe industria nxjerrëse (109 mijë lekë), aktivitetet profesionale dhe teknike (105 mijë lekë), administrata publike dhe mbrojtja (104.5 mijë lekë), energjia elektrike, gazi dhe avulli (102.7 mijë lekë), arsimi (99.3 mijë lekë) si dhe shëndetësia dhe shërbimet sociale (92 mijë lekë).

Në anën tjetër, pagat më të ulëta regjistrohen në bujqësi, me një mesatare prej 55.5 mijë lekësh në muaj, e ndjekur nga sektori i akomodimit dhe ushqimit me 56.4 mijë lekë, ndërtimi me 69 mijë lekë dhe shërbimet në shtëpi me 77 mijë lekë.

Statistikat tregojnë se, pavarësisht rritjes së pagës mesatare në nivel kombëtar, dallimet mes sektorëve të ekonomisë mbeten të theksuara, me hendekun më të madh mes institucioneve ndërkombëtare dhe sektorëve si bujqësia apo turizmi./Albinfo.ch