Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e armatosjes së grupeve opozitare kurde iraniane në Irak, sipas raportimeve. Një veprim i tillë mund ta hapë një front të ri në luftën kundër Iranit dhe rrezikon nxitjen e një lufte civile në këtë vend të Lindjes së Mesme.
Disa grupe opozitare kurde të Iranit janë të vendosura në rajonin gjysmautonom kurd të Irakut dhe ka kohë të gjatë që zhvillojnë kryengritje me intensitet të ulët kundër Teheranit. Disa prej tyre kërkojnë autonomi brenda Iranit, ndërsa të tjerë luftojnë për shkëputje nga Republika Islamike.
Mundësia që Uashingtoni t’i furnizojë me armë grupet kurde iraniane dhe t’i mbështesë sulme tokësore përtej kufirit në pjesën perëndimore të vendit vjen në një kohë kur SHBA-ja dhe Izraeli po zhvillojnë një fushatë të gjerë bombardimesh ajrore kundër Iranit.
Sipas ekspertëve, qëllimi i SHBA-së do të ishte shterojë burimet ushtarake të Teheranit, ta dobësojë kontrollin e pushtetin nga shteti dhe ta nxisë një kryengritjeje brenda Iranit, i cili është shtet shumetnik me rreth 90 milionë banorë.
Udhëheqësit klerikalë të Iranit, pavarësisht vrasjes së udhëheqësit suprem, ajatollah Ali Khamenei, dhe disa komandantëve të lartë ushtarakë, nuk janë dorëzuar dhe po vazhdojnë të mbajnë pushtetin në vend që nga fillimi i fushatës së përbashkët ajrore SHBA-Izrael më 28 shkurt.
“Qëllimi kryesor është që Republika Islamike të fillojë ta humbë kontrollin mbi disa zona të vendit”, tha Michael Horowitz, ekspert i pavarur për mbrojtjen me bazë në Izrael.
“Vlerësimi mund të jetë se duke bërë këtë, edhe pakicat e tjera si dhe opozita më e gjerë mund të frymëzohen. Disa elementë brenda regjimit, të cilët mund të tundohen të dezertojnë ose të arratisen, mund ta shohin këtë si një shenjë se duhet ta bëjnë tani, para se situata të dalë plotësisht jashtë kontrollit”, theksoi ai.
Kurdët përbëjnë rreth 10 për qind të popullsisë së Iranit dhe jetojnë kryesisht në perëndim të vendit, përgjatë kufirit me Irakun.
Irani është akuzuar prej kohësh për shtypje dhe diskriminim ndaj pakicave etnike të vendit, përfshirë kurdët.
Sascha Bruchmann, analist i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike me seli në Londër, tha se inkursionet e mundshme tokësore nga grupet kurde iraniane në perëndim të Iranit mund të shtrijnë burimet ushtarake të Teheranit.
“Nëse fraksionet kurde do të ndërmerrnin një seri sulmesh të koordinuara, trupat e Gardës Revolucionare Islamike do të detyroheshin të kërkonin përforcime”, tha Bruchmann, duke iu referuar degës elitare të forcave të armatosura të Iranit.
“Megjithatë, kjo do të dobësonte pozicionin e tyre në qytetet kryesore si Teherani, Isfahani apo Karaj. Kështu do të krijohej një dilemë për regjimin se ku t’i dërgojë përforcimet e pakta, në një kohë kur koordinimi është gjithashtu më i vështirë. Pikërisht kjo dilemë dhe shpërndarja e forcave është synimi operacional”, shtoi ai.
Sipas ekspertëve, rreziqet e mundshme të armatosjes së grupeve opozitare kurde iraniane nga SHBA janë të konsiderueshme.
“Uashingtoni mund të shkaktojë luftë civile dhe fragmentimin e vendit, gjë që mund të ketë pasoja afatgjata”, tha Horowitz.
Ekzistojnë gjithashtu rreziqe për më shumë se gjashtë grupe kurde iraniane të bazuara në veri të Irakut. Shumë prej këtyre grupeve kanë qenë të armatosura më parë, por më pas kanë hequr dorë nga armët.
“Nëse përfshihen në një luftë afatgjatë kundër Iranit dhe mbështetja amerikane zhduket, do të ishte shumë e rrezikshme për ta”, tha Horowitz.
Së fundmi, SHBA ndërpreu mbështetjen për Forcat Demokratike Siriane (SDF), një milici e udhëhequr nga kurdët që për vite me radhë ishte partner kyç i SHBA-së në luftën kundër grupit ekstremist Shteti Islamik.



