Christiane Amanpour për vdekjen e Mlladiqit: Më në fund ka vdekur një nga vrasësit më brutalë të botës

Gazetarja e njohur e CNN, Christiane Amanpour, ka reaguar pas vdekjes së kriminelit serb Ratko Mlladiq, duke e cilësuar atë si një nga autorët më brutalë të krimeve të luftës.

Në një postim në platformën X, Amanpour ka shkruar se “një nga vrasësit më brutalë të botës më në fund ka vdekur”, duke theksuar se Mlladiqi, i cili vdiq në moshën 84-vjeçare, jetoi shumë më gjatë se mijëra viktimat e tij.

Ajo ka përmendur veçanërisht masakrën e Srebrenicës, ku mbi 7 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë.

“Do të jetë turpi i tij i përhershëm”, ka shkruar Amanpour, duke iu referuar krimeve të kryera nga Mlladiqi.

Gazetarja ka rikujtuar se ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska ishte gjykuar nga një tribunal ndërkombëtar dhe ishte shpallur fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Amanpour ka theksuar gjithashtu rolin e gazetarëve gjatë viteve ’90 në dokumentimin e krimeve gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

“Jam krenare për punën që ne gazetarët bëmë në vitet ’90 për të dokumentuar krimet e tij kundër njerëzimit dhe për ta mbajtur përgjegjës”, ka shkruar ajo.