Çfarë thonë në Serbi për rebelimin e Wagnerit?

Për pushtetin në Serbi bëhet fjalë për punë të brendshme të Rusisë, për opozitën pro-evropiane është shenjë e ndryshimeve të mundshme politike, ndërsa partitë e djathta kryesisht heshtin.

Këto janë pikëpamjet e forcave politike nga Serbia për rebelimin e grupit mercenar rus, Wagner, në natën midis 23 dhe 24 qershorit.

Edhe pse kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia mban marrëdhënie të ngushta me Kremlinin, ndërsa, në të njëjtën kohë, mbështet edhe integritetin territorial të Ukrainës, bashkë me Gadishullin e Krimesë, i cili është aneksuar nga Rusia, në vitin 2014.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ia atribuoi meritën për zgjidhjen e shpejtë të konfliktit presidentit rus, Vladimir Putin, në një prononcim që bëri për Televizionin Pink të Serbisë, më 25 qershor.

“Serbia, kurrë, në asnjë vend, nuk do të mbështesë grushtshtet dhe rebelim ushtarak”, tha Vuçiq.

Në të njëjtën ditë, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, po ashtu në televizionin Pink, tha se Serbia, si “një vend mik, do të dëshironte që të gjitha këto çështje të zgjidheshin në rrugë politike, pa ndonjë kërcënim që do të mund të kishte ndikim të rrezikshëm në stabilitetin e përgjithshëm”.

Daçiq vlerësoi se Putini “ka bërë një kompromis” dhe se, pavarësisht qetësimit të situatës, “ky do të mbetet një problem që ekziston”.

Partitë opozitare pro-ruse në Kuvendin e Serbisë nuk bënë asnjë koment.

Për Pavlle Gërboviqin, përfaqësues i partive opozitare pro-evropiane, gjithçka që ka ndodhur në Rusi në ditët e fundit, ka qenë “pasojë logjike e sistemeve të bazuara në autokraci dhe sistemeve të bazuara në nepotizëm”.

“Të gjitha sistemet e tilla të korruptuara, herët a vonë, përjetojnë një debakël”, thotë Gërboviq, lider i Lëvizjes Qytetarët e Lirë, për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë ndodhi në Rusi?

Kreu i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, dikur aleat i ngushtë i Putinit, bëri thirrje për rebelim të armatosur kundër udhëheqjes ushtarake ruse natën e 23-24 qershorit dhe, një ditë më vonë, trupat e tij hynë në komandën e ushtrisë ruse në qytetin e Rostov-on-Donit, i cili është qendra kryesore për sulmet në Ukrainë.

Prigozhin, grupi i të cilit ka udhëhequr pjesën më të madhe të luftimeve në Ukrainë, u tërhoq me forcën e tij paraushtarake nga selia e ushtrisë ruse në Rostov, në jugperëndim të Rusisë, më 26 qershor.

Që atëherë, vendndodhja e tij nuk dihet.

Më 24 qershor, Kremlini tha se Prigozhin po zhvendosej në Bjellorusi, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga udhëheqësi bjellorus, Alexandr Lukashenko.

Si i komentojnë ngjarjet partitë parlamentare në Serbi?

Në ueb-faqet zyrtare dhe në llogaritë e mediave sociale të partive parlamentare pro-ruse nuk ka lajme apo njoftime në lidhje me ngjarjet në Rusi.

Lideri i lëvizjes së djathtë parlamentare Dveri, Boshko Obradoviq, iu përgjigj shkurtimisht Radios Evropa e Lirë, duke thënë se “nuk ka koment”.

REL-i kontaktoi edhe Partinë e Re Demokratike të Serbisë dhe Lëvizjen Zavetnici, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ato nuk u përgjigjën.

Të tria këto subjekte politike janë pro forcimit të bashkëpunimit të Serbisë me Rusinë dhe e kundërshtojnë hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Gërboviq vlerëson për REL-in se rebelimi i Wagnerit mund të çojë në “ndryshime të caktuara politike në Rusi”, si dhe “mund të ndikojë në vazhdimin e luftës në Ukrainë”.

“Sepse, është ai momenti psikologjik, që tregon se para një viti, Rusia ishte shumë afër Kievit, ndërsa tash, formacionet e saj të armatosura janë kthyer kundër shtetit të tyre… Kjo është diçka që ndoshta e ndryshon krejtësisht këndvështrimin e asaj lufte”, thotë Gërboviq.

I pyetur nëse dhe çfarë lloj ndikimi mund të kenë ngjarjet në Rusi në Serbi, ku veprojnë parti politike pro-ruse të krahut të djathtë, Gërboviq përgjigjet:

“Kam parë që përfaqësuesit e atyre grupeve politike dhe në përgjithësi të atyre organizatave të djathta, kanë qenë mjaft të hutuar në dy ditët e para, sepse nuk e kanë ditur se në anën e kujt duhet të qëndrojnë”.

Kanalet pro-ruse në Telegram në lidhje me rebelimin

Rebelimi i Wagnerit është ndër temat kryesore në kanalet pro-ruse në Telegram të lëvizjeve dhe organizatave të krahut të djathtë në Serbi.

Patrulla e Popullit, një organizatë ultra e djathtë, e paregjistruar, që mban lidhje me Wagnerin, tha pas shpërthimit të rebelimit më 24 qershor se “ka zgjedhur një anë që e di se ka të drejtë”.

“Ne e mbështesim Rusinë dhe popullin e saj”, tha ky grup.

Në postim, megjithatë, nuk u specifikua nëse kjo nënkupton mbështetje për presidentin rus apo për udhëheqësit e forcës private paraushtarake. Kanali i tyre në rrjetin social rus ka mbi tetë mijë ndjekës.

Kanali në Telegram “Shqiponjat e liga”, që udhëhiqet nga Qendra Ruso-Serbe Shqiponjat, nga Shtën Petersburgu, shkroi në gjuhën ruse se “do t’i pezullojë përkohësisht lajmet nga Kosova, Serbia dhe Ballkani në përgjithësi”, derisa priten lajme të reja nga Prigozhini.

“Na duket se e gjithë bota tani është ndalur në pritje”, u tha në kanalin me shtatë mijë ndjekës.

Kanalet pro-ruse të Telegram-it dhe organizatave të së djathtës ekstreme në Serbi për kryengritjen e Wagnerit.
Kanalet pro-ruse të Telegram-it dhe organizatave të së djathtës ekstreme në Serbi për kryengritjen e Wagnerit.

Mlladen Obradoviq, nga organizata e ekstremit të djathtë Obraz, puna e së cilës u ndalua nga Gjykata Kushtetuese e Serbisë në vitin 2012, mori anën e Putinit në kanalin e tij në Telegram.

Në të, ai publikoi deklaratën që bëri për portalin pro-rus, Srbin Info:

“Të gjithë patriotët rusë qëndruan pranë Putinit, nga Patriarku Kirill deri te heronjtë e luftës nga Donbasi [në Ukrainën lindore]”.

Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar, organizatat e krahut të djathtë në Serbi kanë mbështetur zëshëm politikën e Kremlinit dhe kanë kundërshtuar vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.

“Një mesazh i fuqishëm për miqtë dhe armiqtë”

Darko Obradoviq, nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se skenari që u pa në Rusi, dërgoi një mesazh shumë të fuqishëm si për miqtë rusë, ashtu edhe për armiqtë rusë.

“Mesazhi për ata që e konsiderojnë veten miq rusë ose që mbështeten te Rusia në aspektin e politikës së jashtme dhe sigurisë, është ky: Rusia është një vend thellësisht i paqëndrueshëm”, thotë Obradoviq.

Ai i krahason ngjarjet e fundit me, siç shprehet, “skenarin afrikan”.

“Kjo nënkupton që një grup i armatosur njerëzish guxon të shkundë monopolin e forcave të armatosura, të anulojë mosbindjen dhe të shkelë parimet e koordinimit dhe kontrollit, të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj”, thotë Obradoviq.

Darko Obradoviq nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike në një intervistë për REL-in thotë se skenari që pamë në Rusi dërgoi një mesazh shumë të fortë, si për miqtë rusë, ashtu edhe për armiqtë rusë.
Darko Obradoviq nga Qendra joqeveritare për Analiza Strategjike në një intervistë për REL-in thotë se skenari që pamë në Rusi dërgoi një mesazh shumë të fortë, si për miqtë rusë, ashtu edhe për armiqtë rusë.

I pyetur se si situata në Rusi mund të ndikojë në Serbi, e cila në aspektin e politikës së jashtme llogarit në mbështetjen e Moskës në lidhje me Kosovën, Obradoviq thotë:

“Sa i përket bashkëpunimit në politikën e jashtme dhe mbrojtjes së mundshme në Këshillin e Sigurimit [të Kombeve të Bashkuara] në lidhje me veton, kjo po bëhet gjithnjë e më pak e mundshme, sepse Rusia e vë veton vetëm në bazë të vlerësimit të përfitimeve për veten, dhe tani mendoj se nuk brengoset vërtet për Serbinë dhe interesat tona të politikës së jashtme”.

Rusia është një nga pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si e tillë ka të drejtën e vetos për rezolutat e këtij institucioni ndërkombëtar.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Beogradi zyrtar refuzon ta njohë pavarësinë e ish-krahinës së tij jugore.

Lidhjet e Wagnerit me të djathtët në Serbi

Më i hapuri në bashkëpunim me paramilitarët e Wagnerit është kreu i organizatës së djathtë Patrulla e Popullit, Damjan Knezheviq. Ky ultra-djathtist serb vizitoi Qendrën e Teknologjisë Ushtarake Wagner në Rusi, në nëntor të vitit 2022.

“Shumë nga miqtë e mi do të jenë krenarë që kam pasur nderin të vizitoj Qendrën Wagner”, tha më pas Knezheviq për mediat ruse.

Kur u pyet nga REL-i për lidhjet e tij me Wagnerin, Knezheviq mohoi se kishte punuar ndonjëherë ose ishte në ndonjë mënyrë i lidhur me njësinë mercenare.

Megjithatë, ai tha se i njihte “disa serbë që ishin atje”.

Patrulla e Popullit, organizata që ai drejton, është e njohur për publikun e gjerë për aksionet kundër emigrantëve dhe organizimin e protestave në mbështetje të Rusisë në Beograd – sidomos pasi Kremlini ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Në janar, Patrulla e Popullit mori pjesë në pikturimin e një murali kushtuar grupit Wagner në qendër të Beogradit, i cili më vonë u fshi.

Në Serbi, një dënim për luftëtarin e Wagnerit

Pjesëmarrja dhe organizimi i pjesëmarrjes në luftë në një vend të huaj është vepër penale në Serbi që nga viti 2014 – e dënueshme deri në dhjetë vjet burg.

Nga 32 vendimet që Serbia mori kundër luftëtarëve në pjesët e pushtuara të Ukrainës, një nga marsi i vitit 2017 e dënoi një shtetas serb për luftime në Ukrainë, në anën e separatistëve pro-rusë brenda grupit Wagner.

Ai mori një vit dënim me kusht, me aktgjykim të Gjykatës së Lartë në Beograd.

Çka është Wagner?

Wagner është një ushtri mercenare, e themeluar në vitin 2014 nga shtetasi rus, Yevgeny Prigozhin.

Atë vit, Rusia aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë.

Wagner përballet me akuza të mundshme për krime lufte në Ukrainë, Siri dhe disa vende afrikane.

Njësia është nën sanksionet e Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e saj në pushtimin rus të Ukrainës.

Serbia nuk i respektoi ato sanksione, edhe pse si vend kandidat për anëtarësim në BE është e detyruar që gradualisht ta harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë evropiane.

Wagner ndodhet në listën e zezë të SHBA-së që nga qershori i vitit 2017, për shkak të përfshirjes së tij në konflikte në Ukrainën lindore./REL