Çfarë skenari duhet përdorur Kosova në raport me Serbinë për ta njohur Kosovën?

Zyrtarët shtetëror të Kosovës vazhdimisht shprehen se do të ketë njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo deklaratë e zyrtarëve të Kosovës për njohje reciproke presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq po i duket “tregim”. Të paktën kështu ka deklaruar president serb për mediat serbe.

Sipas ekspertëve kjo deklaratë e Vuçiq është e pritshme, pasi që politika e Serbisë nuk ka ndërruar karshi Kosovës. Përveç kësaj shprehen se Vuçiq është duke u ballafaquar me presion të  brendshëm.

Platforma serbe nuk ka ndryshuar ndaj Kosovës

Profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën e  Vuçiqit i cili ka reaguar ndaj kryeministrit Hoti.

“Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka reaguar në lidhje me kushtet që kryeministri Avdullah Hoti kishte parashtruar kërkesë për dialogun Kosovë-Serbi sipas të cilit marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke. Fillimisht kishte deklaruar Vuçiq në takimin e Uashingtonit, se kushte janë të papranueshme për Serbinë  nëse kërkohet njohje reciproke andaj kjo pikë ishte larguar nga rendi i ditës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Halili është shprehur se zyrtarët vendor nuk duhet të habiten më deklaratën e Vuçiqit dhe se politika e Serbisë nuk ka ndryshuar karshi Kosovës.

Image

Nijazi Halili

“Pse të habiten zyrtarët Kosovar me deklaratën e Presidentit të  Serbisë Aleksandër Vuçiq, ai ditë më parë kishte deklaruar publikisht se nëse veje në Thaçi dhe Hoti me platformën njohje për  reciproke kjo do të jetë e pa pranueshme dhe ne do të largohem nga takimi. Mirëpo një gjë duhet të dihet se politika apo platforma serbe ndaj, Kosovës nuk ka ndryshuar as një milimetër dhe është konform  platformës  serbe të Garashaninit e Ivo Andriçit…”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, profesori shprehet se Kosova është me fat që në dialog është e përshirë SHBA-ja.

“Ne jemi me fat që në rastin e dialogut Kosovë-Serbi janë të involvuar SHBA të cilët janë partneret me të besuar të shqiptarëve, përndryshe dialogu kishte me dështuar që në fillimi me palën serbe në Uashington”, ka theksuar profesori Halili.

Qëllimi i Serbisë mosnjohja e Kosovës

Ndërkaq, publicisti, Rexhep Elezaj, është shprehur për “Bota sot” se  deklaratat e Vuçiqit në thelb janë antishqiptare dhe se dihet se i gjithë aparati shtetëror i Serbisë që nga pas lufta e deri më sot së bashku i bien të njëjtës daulle.

“Deklaratat e tilla mohuese dhe nënçmuese të presidentit të Serbisë, A. Vuçiq, ndaj qëndrimeve dhe kërkesave të zyrtarëve shtetëror të Kosovës për njohje reciproke, qëkur ai gjendet në atë post, në thelb janë antishqiptare, mbase dihet se i gjithë aparati shtetëror i Serbisë që nga pas lufta e deri më sot së bashku i bien të njëjtës daulle hegjemoniste, nacionaliste dhe shoviniste kur është në pyetje Kosova dhe pavarësia e saj..!?”, ka deklaruar Elezaj për “Bota sot”.

Image

Rexhep Elezaj

Sipas, Elezajt ,Vuçiqi po ballafaqohet me presione dhe kritika të ashpra nga opinioni i brendshëm serb, si rrjedhojë e kësaj vjen edhe deklarata e tij si konsum të brendshëm politik në Serbi

“Po ashtu, dihet mirëfilli se presidenti i Serbisë, A. Vuçiqi, ballafaqohet me presione dhe kritika të ashpra nga opinioni i brendshëm serb, sidomos nga grupet ekstremiste dhe radikale të çetnikëve dhe partive nacionaliste serbe, të cilët çdo ditë e akuzojnë se gjoja ky veç e ka “pranuar” pavarësinë e Kosovës qyshkur është ulur në bisedime me “albanski- šiptarski- teroristi” (me terroristët shqiptarë), kështu që edhe deklarata e tij e fundit se janë “tregime” kërkesat e zyrtarëve shqiptar për njohje reciproke, i ka edhe për konsum të brendshëm politik në Serbi”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Elezaj është shprehur se bashkësia ndërkombëtare nuk bënë presion të nevojshëm ndaj zyrtarëve të Serbisë, kurrë nuk do ta njehin pavarësinë e Kosovës.

“Ndërsa, sa i përket mendimit se deklaratat e këtilla nga kreu u shtetit serb, A. Vuçiq, dhe jo vetëm ai, se janë dëshmi që Serbia nuk do ta njeh pavarësinë e Kosovës, unë jam i bindur në faktin, se regjimi aktual dhe cili do regjim që do vjen në Serbi, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk bënë presion të nevojshëm ndaj zyrtarëve të Serbisë, ata/ajo kurrë nuk do ta njehin pavarësinë e Kosovës, sepse sipas logjikës dhe politikës shoviniste, kriminale dhe të gjenocidit ndaj shqiptarëve të cilën e kanë zbatuar ndër shekuj deri me 10 qershor 1999, ata duke e konsideruar Kosovën si “zëmër të Serbisë”, ashtu siç i ka mësuar kisha ortodokse serbe, pranimi i pavarësisë së saj do të ishte tradhtia më e madhe për secilin udhëheqës serb që eventualisht do e bënte një akt të tillë”, potencuar  ai për “Bota sot”.

Në fund, Elezaj ka vlerësuar se përfshirja e Serbisë në bisedime është një strategji për t`iu ikur presioneve dhe obligimeve ndaj SHBA-ve dhe Brukselit zyrtar.

“Kështu që, bindja ime personale është, se negociatat që po i bëjnë me Kosovën që 7 vite e këndej, në esencë ky pranim i bisedimeve me Kosovën nga ana e politikanëve të Serbisë, nuk është gjë tjetër vetëm se një strategji dhe taktikë e tyre politike dhe diplomatike afatgjate, me qëllim që të fitojnë sa më shumë në kohë që është e mundur, për t’i ikur presioneve dhe obligimeve ndaj SHBA-ve dhe Brukselit zyrtar, që po qese ia dalin, kurrë mos të vije deri tek njohja (sipas tyre; humbja) e Kosovës dhe “Metohisë”…!?”, ka përfunduar Elezaj për “Bota sot”.