Çfarë pasurie deklaroi Adem Çuçul, kryetari i ri i komisionit Antikorrupsionit?

Adem Çuçul është kryetar i ri i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK). Dje, ai dha deklaratë solemne në Parlamentin e Maqedonisë dhe, ndër të tjera, njoftoi punë transparente dhe efikase të KSHPK-së në emër të interesit publik. Mandati i tij është pesëvjeçar. eMagazin shqyrtoi se çfarë pasurie deklaroi ai në Komisionin Kundër Korrupsionit kur u bë sekretar i përgjithshëm i tij, transmeton Portalb.mk.

Ai nuk ka pasuri të paluajtshme në emrin e tij.

Çuçul deklaroi pasuri të paluajtshme në emër të prindërve të tij në Çair të Shkupit dhe në fshatin Bërdo në Kosovë.

Ai drejton një Volkswagen dhe gjithashtu deklaroi pagën e tij.

Juristi Adem Çuçul, që nga viti 2006, është pjesë e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), që në kohën kur institucioni kishte gjashtë të punësuar. Ai filloi si mbajtës procesverbali dhe shkruante njoftime, këshillonte dhe merrte pjesë në strategji dhe debate, për t’u bërë sekretar i përgjithshëm vitin e kaluar.

Zgjedhja e Adem Çuçul si kryetar i KSHPK-së u mbështet më 3 dhjetor me shumicë prej 82 votash “pro” në Kuvend. Komisioni Parlamentar për Zgjedhje dhe Emërime dy javë më parë emëroi unanimisht Adem Çuçulin për kryetar të KSHPK-së, pasi ai mori numrin më të lartë të pikëve nga të gjithë 10 kandidatët e vlerësuar nga Komisioni për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Kryetar të KSHPK-së.

Nevoja për një kryetar të ri në mes të mandatit u shfaq pasi Tatjana Dimitrovska u tërhoq gjatë verës, e akuzuar për zbulim të sekretit zyrtar në një rast korrupsioni dhe për mashtrim gjatë marrjes së certifikatës për informacione të klasifikuara.

Tani Çuçul gjendet përballë sfidës për t’u përballur me imazhin e një komisioni të diskredituar dhe të heshtur, të zënë në interpretimin dhe praktikimin e ngushtë të kompetencave të tij.

Gjegjësisht, gjashtë anëtarët e Antikorrupsionit, të udhëhequr nga revizorja shumëvjeçare Dimitrovska, nuk “hynë thellë” në rastet me profil të lartë që përfshinin kryeministrin dhe krerët e parë të policisë sekrete dhe Agjencisë së Inteligjencës.

Ata nuk panë arsye për një hetim shtesë lidhur me shpenzimet e udhëtimit të djalit të kryeministrit Hristijan Mickoski, i cili e shoqëroi atë në vizitën zyrtare në SHBA, ndonëse u zbulua se udhëtimi dhe qëndrimi i tij ishin paguar në para të gatshme. Ata u shpallën jokompetentë për të konstatuar ligjshmërinë e emërimeve të drejtorit të ANB-së, Bojan Hristovski, dhe zëvendësdrejtoreshës në Agjencinë e Inteligjencës, Ivana Stojanovska.

Reputacioni i përbërjes aktuale nuk është i dëmtuar vetëm në Maqedoni.

Komisioni Evropian së fundmi vlerësoi se komisioni “heziton në zgjidhjen e rasteve politikisht të ndjeshme”.

Dhe komunikimi i tij me publikun ishte i pamjaftueshëm, thuhet në raportin vjetor për progresin e vendit në integrimet në BE.

Komisioni prej shtatë anëtarësh, i cili muajin e kaluar zhvilloi intervistat me dhjetë kandidatët, përbëhet nga katër deputetë, nga dy nga pushteti dhe opozita, një përfaqësues i Avokatit të Popullit dhe dy përfaqësues të sektorit joqeveritar.

Kryetari tashmë i ri i KSHPK-së, në intervistë theksoi se tema e pasurisë së funksionarëve i “përshtatet” dhe se gjithë karrierën e ka ndërtuar në sistemin për ndjekjen e kësaj problematike.

“Kompetenca për ndjekjen e gjendjes pronësore është lënë pas dore”, tha ai.

Ai vuri në pah se softueri për ndjekjen e pasurisë së funksionarëve nuk është zbatuar plotësisht dhe se KSHPK-ja, në vend të 17 të parashikuar me ligj, është e lidhur në mënyrë elektronike vetëm me pesë institucione, gjë që e vështirëson hetimin e saj.

Nëse kësaj i shtohet edhe jo-azhurnimi i institucioneve, rezultati është, thotë Çuçul, që nuk kemi një numër të saktë dhe përfundimtar të funksionarëve.

“Një situatë e tillë lejon grumbullimin e funksioneve”, tha ai në intervistë.

Ndonëse për gjysmë ore, sa zgjatën intervistat, është e pamundur të fitohet një pamje reale, Çuçul u dallua nga kandidatët e tjerë, me atë se e zotëronte lëndën në detaje, dhe ndryshe nga shumica e kandidatëve, nuk lexonte nga materiale të përgatitura.