Lidhur me sistemin “Safe City”, ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski në emision Click Plus në TV21 iu përgjigj disa dilemave. Njëra prej tyre ishte se çfarë ndodh nëse një automjet kalon në dritë jeshile të semaforit, por për shkak të trafikut të dendur përfundon në mes të kryqëzimit. Toshkovski tha se në raste të tilla do të trajtohet si shkelje, por me trajtim tjetër, pra jo si kalim me dritë të kuqe, por si pengim i qarkullimit në kryqëzim.
“Kjo kundërvajtje në komunikacion ka trajtim tjetër, nuk do të trajtohet si kalim në të kuqe, por si ngadalësim ose vështirësim i lëvizjes brenda kryqëzimit, që është i përcaktuar veçmas, dhe mendoj se gjoba është 45 euro, e cila është e përcaktuar. Pra, shoferi duhet të bëjë vlerësimin se trafiku do të bllokohet nëse kalon me dritë jeshile dhe do të duhet të ndalet. Gjatë periudhës testuese pati edhe situata të tilla, dhe kamerat ju identifikonin sikur të kishit kaluar në të kuqe, edhe pse keni hyrë me dritë jeshile. Por të gjitha këto i kemi korrigjuar dhe kjo shkelje nuk do të konstatohet si kalim në të kuqe, por si ‘bllokim’ i kryqëzimit”, tha Toshkovski.



