Çfarë kërkojnë dhe çka u ndalohet shqiptarëve në RMV?

ÇFARË KËRKOJNË DHE ÇKA U NDALOHET SHQIPTARËVE NË MAQEDONINË VERIORE?
(Analizë në vigjilje të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë Veriore)

Shkruan: Abdulla MEHMETI

Teza

1. Asnjë pushtet okupator apo diktatorial, asnjë ideologji reaksionare në botë nuk e ka
trajtuar ndonjë popull autokton të një vendi si përqindje dhe shumë numerike, siç i ka
trajtuar shqiptarët pushteti i Maqedonisë Veriore nga viti 2001 e deri më sot.

2. Kjo formë e diskriminimit të shqiptarëve nuk ndalet vetëm te mohimi i përkatësisë
etnike por edhe i gjuhës shqipe, e cila trajtohet me ligje dhe kushtetutë si gjuhë të cilën e
flasin qytetarët e vendit, të cilët përbëjnë mbi 20%, jo si gjuhë amtare që ka emër dhe i
takon një populli me histori, kulturë dhe identitet të veçantë.

3. Faktori politik shqiptar, i cili i përfaqëson shqiptarët në pushtet nga viti 2001 e deri
më sot, bazë mbështetëse dhe platformë të veten për garantimin e të drejtave të
shqiptarëve dhe barazinë e tyre në këtë shtet e konsideron Marrëveshjen kornizë të
Ohrit, e shqiptarët i trajton si pakicë kombëtare ndërsa gjuhën shqipe si gjuhë e një
grupi të qytetarëve pa identitet, të cilët përbëjnë mbi 20% të popullsisë dhe që flasin një
gjuhë tjetër të ndryshme nga gjuha zyrtare maqedonas, prandaj, regjistrimi real i
popullsisë nuk i konvenon kësaj strukture politike, e cila e humb primatin në skenën
politike, me shkuarjen në histori të këtij realiteti të rrejshëm siç e ka paraqitur
Marrëveshje e Ohrit dhe mbështetësit e saj. Çfarëdo rezultati nga regjistrimi i ardhshëm
i popullsisë në Maqedoninë Veriore, i cili do të ishte afër 20-25% do të ishte i
pranueshëm edhe për faktori politik shqiptar në pushtet, ndërsa çdo rezultat ndryshe,
që mund t’i nxjerrë shqiptarët qoftë edhe me një banor më tepër se 30%, do të jetë
debakël dhe devalvim i kësaj politike të derisotme që ka ndjekur klasa politike
shqiptare në këtë shtet. Në këtë pikëpamje, këto struktura politike të shqiptarëve janë
në frymë të njëjtë me atë të pushtetit, që shqiptarët të trajtohen edhe më tej si pakicë
dhe të sundohen më lehtë.

4. Pavarësisht nga presioni ndërkombëtare dhe kushtëzimi për anëtarësimin e vendit në
BE, si edhe nga opinioni i brendshëm, secila palë për llogaritë e veta, as pushteti aktual
në Maqedoninë Veriore nuk është i gatshëm ta paraqesë numrin real të popullsisë dhe
përkatësinë etnike të banorëve të këtij shteti.

5. Beteja për numra dhe përqindje e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, e imponuar
nga pushteti dhe klasa politike e korruptuar, është betejë për barazi qytetare, liri dhe të
drejta kombëtare të mohuara.

NËN KTHETRAT E DISKRIMINIMIT POLITIK, KUSHTETUES DHE LIGJOR PËRMES
NUMRAVE DHE PËRQINDJES

Më në fund, pushteti në Maqedoninë Veriore ka vendosur seriozisht ta realizojë
operacionin e madh statistikor për regjistrimin e popullsisë, me miratimin e ligjit
përkatës nga parlamenti, që pritet të zhvillohet nga 1-20 prill të këtij viti.

Se çfarë regjistrimi mund të realizohet nga institucionet e pushtetit aktual është shumë
e qartë. Për bindjen tonë, në stilin "As me shehër, as me Barilevë”, siç thotë shprehja
popullore, që domethënë, në radhë të parë të përmbushen detyrimet ndërkombëtare të
shtetit (vetëm Somalia dhe Maqedonia nuk kanë bërë regjistrim të popullsisë më tepër
se 10 vitet e fundit), pse këtë e kërkon edhe BE për fillimin e bisedimeve për
anëtarësimin e këtij vendi, t'i përmbushin deri diku edhe kërkesat e faktorit politik
shqiptar, por, të mos bëhet një regjistrim real sa të "cenohen" interesat e pushtetit,
sidomos të opozitës nacional-shoviniste, e cila më lehtë i pranon të gjitha rreziqet mbi
shtetin, se sa të bëhet i ditur numri i saktë i banorëve sipas përkatësisë etnike, sidomos
numri i shqiptarëve.
Disa parti politike, të fryra nga nacional-shovinizmi, si edhe disa qarqe politike dhe
intelektuale, abece të tyre për mbijetesë e kanë manipulimin e opinionit, për të
mbijetuar edhe më tej në skenën politike, duke e ushqyer anëtarësinë, simpatizuesit dhe
përkrahësit e tyre me të “vërtetën” e tyre, siç e kanë mësuar nga të parët komunistë
jugosllavë, të stërmbushur me urrejtje ndaj shqiptarëve.

Këto parti dhe qarqe intelektuale nuk lënë rast dhe mundësi pa përmendur se,
shqiptarët në Maqedoninë Veriore nuk përbëjnë as 20% të banorëve, por nga 11-17%,
që domethënë, sa kanë dëshirë ata, për t'i mbajtur më lehtë nën kontroll dhe sundim
shqiptarët vendës, për t'ua përcaktuar masën e të drejtave dhe lirive të tyre, për t'ua
planifikuar zhvillimin e sotëm dhe perspektivën në të ardhmen, me dëshirën më të
madhe për asimilimin ose shpërnguljen e tyre sa më tepër në botën e jashtme, siç e kanë
bërë deri më sot, por edhe realizimin e ëndrrave të tyre raciste, siç i shprehin pa ndalur
nëpër protesta, me afishe dhe slogane të tipit: “Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur",
"Vdekje për shqiptarët", "Dhoma gazi për shqiptarët" etj. Kjo mendësi egërsirash nuk
është e panjohur për opinionin e brendshëm dhe të jashtëm, por pak është e studiuar
nga faktori politik shqiptar vendës, fatkeqësisht!
A duhet të bëhet politikë me numrin e banorëve? Sigurisht që jo, sikur të jetonim në një
shtet demokratik, me liri të garantuara, barazi të mbrojtur nga ligji, kushtetuta dhe
pushteti, si për shembull, në shtetet e Skandinavisë, në Kanada apo Australi, por në
rrethanat ballkanike, ku ende pushtetet dhe skena politike vlon nga urrejtja, shovinizmi
dhe shfryrjet raciste e disa popujve ndaj popujve të tjerë, jo vetëm që nuk heq dorë
politika nga ndërhyrja në këto çështje, mbajtja nën kontroll e politikave demografike
dhe mbi regjistrimin e popullsisë, por gjithçka varet nga niveli i demokratizimit të saj
dhe i pjekurisë së shoqërisë në vend. Më saktë, asnjëfarë ndryshimi esencial dhe
ndërgjegje demokratike nuk shohin qytetarët në pushtetin aktual, te pjesa më e madhe e
faktorit politik dhe në mediet e vendit.
Pa dashur ta rëndojmë gjendjen mendore të qytetarëve shqiptarë dhe të tjerëve në
lidhje me procesin e regjistrimit të popullsisë, që pritet të realizohet gjatë këtij viti, për
shkak të gjendje së tyre të rënduar ekonomike dhe shëndetësore nga pandemia aktuale,
me këtë rast do të mjaftonte të përmendim vetëm disa teza të paraqitura gjatë kohës së
fundit, nga gazetarë, analistë, politikanë dhe medie, të cilat kryesisht i bien telit të
pushtetit, që të gjendet një “kompromis në heshtje” në lidhje me këtë çështje, më saktë,
të realizohet një regjistrim nga i cili do të mbeteshin të kënaqur shumica, por,

mashtrimi, falsifikimi dhe politika demografike diskriminuese ndaj shqiptarëve nuk do
të merrnin fund as kësaj radhe.
Këta faktorë që përmendëm, ka kohë që kanë filluar me fushatën e tyre
“ndërmjetësuese”, ku dëshiron të del edhe pushteti me rezultatet e regjistrimit të
ardhshëm të popullsisë. Në këtë rast, numri i banorëve shqiptarë nuk do të arrinte
(lejohej) të jetë mbi 27-28%. Nëse i keni ndjekur deklaratat e disa politikanëve dhe
pushtetarëve shqiptarë gjatë ditëve të fundit, ky përfundim mund të nxirret shumë
lehtë.
Sidoqoftë, është tepër naive të konsiderohen si indikatorë me rëndësi, numri i
pasaportave të dhëna shqiptarëve (mbi 30%), përderisa të gjithë banorët shqiptarë nuk
janë të pajisur dhe as kanë nevojë për t’u pajisur me pasaporta, që këto të dhëna të
konsiderohen relevante për numrin e saktë të banorëve shqiptarë në këtë shtet. Edhe
numri i nxënëseve shqiptarë të përfshirë në shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe
(mbi 32%) nuk është një tregues aq i saktë, përderisa jo të gjithë nxënësit shqiptarë
mësojnë në shkollat fillore me mësim në gjuhën shqipe, në këtë vend. Deklaratat publike
mbi këto teza janë dhënë nga dy ish-ministra shqiptarë nga radhët e partisë në pushtet, i
Punëve të Brendshme dhe i Arsimit dhe Shkencës.

Të dhënat më të besueshme dhe relevante për numrin e banorëve shqiptarë janë numri
dhe përqindja e fëmijëve të lindur nga prindër me përkatësi etnike shqiptare, siç janë
publikuar edhe të dhëna zyrtare nga vetë institucionet e shtetit (Enti Shtetëror i
Statistikës), nga del se, mesatarisht ky numër gjatë tri dekadave të fundit asnjëherë nuk
ka qenë më i ulët se 35%. Me këtë rast duhet të përmendet edhe fakti se, nga prindër që
përkohësisht janë në botën e jashtme, lindin çdo vit nga 3500-5000 fëmijë shqiptarë me
prejardhje nga Maqedonia Veriore, që përbëjnë jo më pak se 1/3 e numrit të
përgjithshëm të fëmijëve shqiptarë të lindur çdo vit në vend dhe në mërgatë.
Çfarë regjistrimi mund të presin shqiptarët nga një pushtet i cili nuk publikon asnjëherë
të dhëna të sakta për numrin e banorëve të shpërngulur gjatë viteve të fundit, për
numrin e fëmijëve të lindur në botën e jashtme, prindërit e të cilëve nuk do të kenë
mundësi të regjistrohen kësaj radhe në rubrikën e banorëve rezidentë të shtetit?!
Nuk ka ide më johumane, primitive dhe shoviniste, se sa manipulimi me numrin e
banorëve të një shteti, i cili ende përpëlitet për mbijetesë në skenën politike
ndërkombëtare, por deklaratat e tipit të shovinistëve siç i dëgjojnë shqiptarët gati çdo
ditë nga analistë, politikanë dhe medie në gjuhën maqedonase, të cilat pushtetit nuk i
bëjnë përshtypje, janë kulmi i kësaj egërsie dhe marrëzie, prandaj, asgjë nuk mund të
paraqesë befasi nga pushteti i këtij vendi edhe në të ardhmen, për aq më tepër kur edhe
përfaqësues të partive politike shqiptare në pushtet deklarojnë se, numri i shqiptarëve
nuk mund të del më pak se 25%, përkatësisht 20%, sa e ka përcaktuar Marrëveshja
kornizë e Ohrit, e cila tani është edhe pjesë e Preambulës, bërthamës politike të
Kushtetutës aktuale dhe e konceptit të shtetit njëkombës të Maqedonisë Veriore.
(23 janar 2021)