Çështja e presidentit të Kosovës, Haxhiu ftesë partive për takim të përbashkët konsultativ

Ndërsa ende nuk është arritur një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ushtruesja e kësaj detyre Albulena Haxhiu u ka dërguar ftesë liderëve të partive politike për një takim të përbashkët, ndërsa kërkon konmfirmim për pjesëmarrjen e tyre.

“Ju ftoj në një takim konsultativ në lidhje me zhvillimet aktuale politike, institucionale dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për Presidentin konsensual, rrjedhimisht dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese”, thuhet në njoftimin e saj.

Takimi sipas zyrës së presidentes është parashikuar të mbahet mëngjesin e së martës. Ftesa vjen një ditë pasi Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi se tërhiqet nga negociatat për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosjen, duke theksuar se nuk kërkon asnjë post, por është e gatshme të votojë për një figurë jopartiake për president.

Ndërkohë kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha të premten se presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale, me mbështetje sa më të gjerë politike dhe qytetare.

Kurti deklaroi se synimi është që përmes një marrëveshjeje për presidentin të shmanget mundësia e zgjedhjeve të reja. Ndërkohë PDK-ja dhe AAK-ja qëndruan edhe të premten në sallën e Kuvendit, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive.

/rtsh.al/