Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën – vjen një sinjal serioz për Bashkimin Evropian

Tema e liberalizimit të vizave është një nga temat më të përfolura të viteve të fundit në Kosovë.

Qytetarët e vendit tonë, për shumë vite kanë qenë cak i ‘mashtrimeve’ të ish-udhëheqësve të shtetit, të cilët kanë deklaruar shumë herë se liberalizimi i vizave do të ndodhë shumë shpejt.

E temën e liberalizimit e riktheu ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Mass, i cili dha një mesazh të mirë për këtë temë.

“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk do ta rriste vetëm stabilitetin rajonal por do të hapte gjithashtu edhe rrugën për perspektivat e të dy vendeve për Bashkimin Evropian”, ka thënë Mass në një konferencë.

Kryediplomati gjerman ka thënë tutje se kur flitet për pragmatizëm, atëherë beson që “Bashkimi Evropian duhet përfundimisht që t’ia japë Kosovës liberalizimin e vizave, vendit të vetëm që vazhdon të jetë i përjashtuar nga e drejta për udhëtim në Evropë”.

Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim rajonal dhe pajtim.

“Të gjithë njerëzit në Evropë mbajnë barrë historike. Por historia nuk duhet të jetë një pengesë në formimin e një të ardhmeje të përbashkët”, ka shtuar kryediplomati gjerman.

Ndër të tjera, Mass ka thënë se përkrahin punën që po bëhet nga Josep Borell dhe Miroslav Lajçak në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa, këtë deklaratë të ministrit Mass për liberalizim të vizave dhe dialogun me Serbinë, analistët politik dhanë opinione të ndryshme.

Varësisht nga këndvështrimet e tyre ata u shprehen skeptik ose optimist në lidhje me këtë temë.

Mehazi: Deklarata e ministrit Mass sinjal për Bashkimin Evropian

Lidhur me këtë temë, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” e cilësoi Gjermaninë si një nga shtetet që më së shumti e përkrah Kosovën, në rrugëtimin e saj për liberalizimin e vizave.
Image
Sulejman Mehazi
Foto galeri

Ai këtë e tha bazuar në deklaratat e ministrit Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Mass.

“Gjermania është ndër shtetet të BE-së që më së shumti përkrah Kosovën, kjo vërehet nga deklarata e Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Mass, i cili me fjalët e tij “se BE duhet t’i jap liberalizimin e vizave Kosovës dhe se një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk do ta rriste vetëm stabilitetin rajonal, por do të hapte gjithashtu edhe rrugën për perspektivat e të dy vendeve për Bashkimin Evropian””, ka deklaruar Mehazi.

Sipas profesorit, këto deklarata të ministrit Mass, janë sinjal për Bashkimin Evropian, që t’ia bëjë liberalizimin e vizave.

“Thëniet e lartpërmendura të diplomatit gjerman, Mass, sikur sinjalizojnë BE-në që të ketë kujdes ndaj dhënies leje liberalizimit të vizave të qytetarëve të Kosovës, jo vetëm kaq po Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Mass, këmbëngul edhe për dialogun përmbyllës të Kosovës me Serbinë që jo vetëm do stabilizonte rajonin, por do të hapte rrugë perspektive të Kosovës e Serbisë drejt shteteve të BE-së”, ka theksuar ai.

Tutje, Mehazi u shpreh i gëzuar që përkrahja për liberalizimin e vizave po vjen nga qendra më e fortë e vendimmarrjeve të BE-së, Gjermania.

“Na gëzon fakti se këto deklarata kyçe në lidhje me liberalizimin e vizave dhe dialogut përfundimtar me Serbinë vijnë nga qendra më e fortë e vendimmarrjeve të BE-së, Gjermania, e cila është iniciatore e të gjitha vendimeve politike, ekonomike e zhvillimore evropiane”, ka nënvizuar ai.

Në fund, profesori tha se Evropa po e përkrah fuqishëm kryeministrin Kurti dhe kjo po dëshmon se mos liberalizimi i vizave dhe pezullimi i dialogut me Serbinë, kanë ndodhur shkaku i qeverive të mëparshme të korruptuara të Kosovës e jo BE-ja.

“Zëri i fuqishëm diplomatik gjerman në Evropë dhe zëri i fuqishëm diplomatik amerikan në botë përkrah Kosovën e jo Serbinë. Me ardhjen e Kurtit në krye të qeverisë së Kosovës po fryjnë disa erëra të freskëta politike evropiane në të mirën e Kosovës. Si duket, për mos liberalizimin e vizave dhe të dialogut pezull me Serbinë fajtor kanë qenë qeveritë e mëparshme të korruptuara të Kosovës e jo BE-ja”, ka deklaruar profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Halili: S’di sa kohë i duhet që BE të ketë një qëndrim të njëjtë lidhur me liberalizimin e vizave?

Mirëpo, ndryshe mendon profesori tjetër, Nijazi Halili.
Image
Nijazi Halili
Foto galeri

Sipas tij, tanimë jemi ngopur me deklarata të thata nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, sa më tema e liberalizimit të vizave po zgjon më interesim te qytetarët e vendit, pasi këta të fundit e kanë humbur edhe shpresën e fundit, pas një pritje tejet të gjatë.

“Jemi ngopur me deklarata e fjalë boshe nga përfaqësuesit e BE-së, sa i përket liberalizmit të vizave, pastaj dialogut fund e krye politik, pas as një rezultat, andaj është bërë një temë e cila nuk po zgjon më interesim te qytetarët e vendit çështja e liberalizimit, pasi që i kanë humbur edhe shpresën e fundit pas një pritje të gjatë enorme, duke cituar hajt se një ditë do të bëhet mirë edhe për ne shqiptarët e Kosovës, pasi që edhe ne jemi pjesë e Evropës”, ka deklaruar anëtari i akademisë shqiptare amerikane për shkencës dhe arte në SHBA.

Në vazhdim, profesori shtoi se ndonëse ministri Mass shprehu mbështetje për liberalizimin e vizave dhe dialogut me Serbinë, gjërat qëndrojnë krejt ndryshe.

Kjo pasi, sipas tij qëndrimet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian deri më tani nuk ka qenë korrekt ndaj Kosovës.

“Ministri i Jashtëm Gjerman Maas shprehu edhe njëherë mbështetjen që Gjermania i jep procesit të dialogut dhe Emisarit Lajçak në cilësi të ndërmjetësuesit, megjithatë realiteti qëndron krejt ndryshe pasi që qëndrimi i anëtarëve të BE-së karshi vendit tonë në vazhdimësi ka qenë jo korrekt dhe i njëanshëm, kur dihet se tani edhe Holanda edhe Franca, del me deklarata kundër liberalizimit për Kosovarët, në pretekst se gjoja institucionet tona, nuk janë duke punuar mjaftueshëm në përmbushjen e kritereve, që dalin nga BE”, ka theksuar ai.

Në fund, Halili tha se BE nuk ka asnjë analist të duhur lidhur me mos dhënien e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai u shpreh skeptik për kohën që iu duhet BE-së të vendos për qëndrimin unanim lidhur me liberalizimin e vizave.

“Deklaratat e tilla, pa një analizë të saktë lidhur me përmbushjen e kritereve, shuajnë edhe shpresën e fundit të qytetarëve të vendit për frymuar lirshëm e lëvizur sikur të gjitha shtetet tjera të këtij Unioni. S’di edhe sa kohë i duhet që BE të ketë një qëndrim të njëjtë lidhur me liberalizimin e vizave apo ndoshta do të mbesim peng sikur shteti i Turqisë, i cili po pret me vite të tëra për ti ju bashkuar kësaj pjese të familjes evropiane”, ka përfunduar Nijazi Halili për gazetën “Bota sot”.