Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me zhvillimet dhe përfoljet e fundit për shoqërinë VIA, duke i cilësuar ato si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme dhe të dyshuara të kundërligjshme të noteres Vjollca Selimi.
Në një deklaratë publike, Pacolli thekson se veprimet e noteres janë kryer “në mënyrë të fshehtë dhe në mungesë të plotë të palës së ligjshme”, duke shtuar se pretendimet për nënshkrimin e aktit të transferimit të aksioneve nuk janë të vërteta.
“Sipas njoftimeve të publikuara sot në media, noterja në Tiranë, znj. Valbona Selimi, ka pretenduar se palët kanë qenë të pranishme gjatë nënshkrimit të aktit të transferimit të aksioneve nga MABCO Construction SA në shoqërinë ‘2A’.
Me këtë rast, sqaroj publikisht se as unë dhe as ndonjë person i autorizuar nga MABCO Construction SA, me seli në Lugano, nuk kemi qenë ndonjëherë në zyrën e saj, nuk e kemi takuar, nuk kemi pasur komunikim me të dhe nuk kemi nënshkruar asnjë dokument apo prokurë në praninë e saj,” deklaron Pacolli.
Ai thekson se në një akt noterial të vitit 2023, të cilin noterja Selimi e ka përdorur në mënyrë joligjore si pjesë të dokumentacionit për transfer të pronës, janë përfshirë deklarime të pavërteta.
“Noterja ka pretenduar me shkrim se unë paskam qenë fizikisht i pranishëm në zyrën e saj, ajo paskësh kryer identifikimin tim dhe më paskësh lexuar aktin me praninë e një përkthyeseje. Këto pretendime janë plotësisht të rreme,” ka shtuar Pacolli.
Ai nënvizon se nuk e njeh noteren Selimi, nuk ka qenë asnjëherë në zyrën e saj, nuk ka nënshkruar ndonjë dokument në prezencën e saj dhe nuk ka dijeni për ekzistencën e një përkthyeseje të tillë.
Pacolli thekson se ky akt noterial përbën elementin themelor të veprimeve të dyshuara të paligjshme të ndërmarra nga Valon Lluka dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët, sipas tij, në prill të këtij viti kishin tentuar të realizonin transferimin e 47% të aksioneve të shoqërisë, duke e mbajtur të fshehur këtë veprim deri më 18 gusht 2025, kur rasti u zbulua rastësisht në dokumentacionin e ish-administratorit të shoqërisë VIA.