Objektet parashkollore dhe ato shkollore që sigurojnë ngrohjen me naftë nuk rrezikojnë të mbetën pa ngrohje, pavarësisht shtrenjtimit të derivateve të naftës. Sipas drejtuesve të disa shkollave me të cilat kontaktoi Alsat, kjo lëndë djegëse përveç që është e siguruar deri në përmbyllje të këtij sezoni e njëjta është e siguruar edhe për vitin e ardhshëm shkollor. Alsat vizitoi shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Çair, ngrohja ishte në nivelin e duhur pavarësisht temperaturave pranverore ditëve të fundit.
“Sa i përket ngrohjes në shkollën tonë ne jemi të furnizuar për momentin dhe deri në fund të sezonit kemi mjaftueshëm edhe besoj se edhe për vitin e ardhshëm kemi. Nëse eventualisht nuk kemi mjaftueshëm atëherë bëjmë kërkesë në komunë dhe furnizohemi. Deri në 15 mars kemi afatin e ngrohjes,” Esma Fazlija drejtoreshë e sh.f “Hasan Prishtina”.
Shkolla fillore “Hasan Prishtina” por edhe disa objekte të ngjashme në Komunën e Çairit po bëjnë përgatitjet e fundit rreth projektit për të siguruar sistem me ngrohje qendrore. Në disa komuna të tjera sistemi i ngrohjes së objekteve parashkollore dhe atyre shkollore tashmë ka kaluar në energji elektrike. /alsat.mk





