Pirja e duhanit shkakton dëmtime kronike të mushkërive dhe enëve të gjakut, duke çuar në shfaqje të kancerit, sëmundje kronike obstruktive, pneumotoraksit spontan, aterosklerozës, aneurizmave dhe stenozës karotide, të cilat shpesh përfundojnë me nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Në Klinikën për kirurgji torakale dhe vaskulare numri i pacientëve është në rritje të vazhdueshme; vitin e kaluar janë trajtuar më shumë se 3100 pacientë, prej të cilëve rreth 150 – kryesisht duhanpirës – me ndërhyrje kirurgjikale torakale, ku dominon kanceri i mushkërive. Çdo vit diagnostifikohen 600 deri në 700 pacientë të rinj, kryesisht duhanpirës, me kancer të mushkërive, ndërsa shumica janë në fazë të avancuar të sëmundjes dhe dërgohen në Klinikën për radioterapi dhe onkologji për trajtim të mëtejshëm, thotë në intervistë për MIA, drejtori i Klinikës për kirurgji torakale dhe vaskulare, dr. Igorçe Xhikovski.
Ai këshillon ndërprerjen e plotë të pirjes së duhanit, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të shmangur rrezikun nga paraqitja e sëmundjeve.
– Për ne është me rëndësi t jetike vendosja e një programi kombëtar skriningu për zbulimin e hershëm të kancerit të mushkërive. Zbulimi i hershëm do të mundësonte rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve të diagnostifikuar në fazë të operueshme, çka do të kontribuonte drejtpërdrejt në rezultate më të mira kirurgjikale, ulje të vdekshmërisë dhe përmirësim të cilësisë së jetës së pacientëve – thekson dr. Xhikovski.
Pas një periudhe më të gjatë kohore, kur tashmë ekzistojnë ndryshime strukturore në enët e gjakut, si ateroskleroza, kalcifikimet apo zgjerimet aneurizmatike, dëmtimet bëhen të përhershme dhe mund të kontrollohet vetëm progresioni i tyre.
– Prandaj faktori më i rëndësishëm është ndërprerja e duhanit sa më herët që të jetë e mundur. Edhe me një numër të vogël cigaresh në ditë, një deri në pesë sosh, ekziston pothuajse dyfish rrezik më i lartë për sëmundje kardiovaskulare, si sëmundja artero – koronare të themi. Ekspozimi ndaj duhanit pasiv gjithashtu rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe
respiratore, veçanërisht te fëmijët dhe pacientët me sëmundje shoqëruese, gjgj. me tashmë faktor ekzistues rreziku – thotë ai.
Sipas tij, hapi më i rëndësishëm për mbrojtjen e enëve të gjakut është ndërprerja e plotë e pirjes së duhanit. Ai thekson rëndësinë e kontrolleve të rregullta mjekësore, kontrollit të faktorëve të rrezikut (diabeti, tensioni i lartë, lipidet në gjak), ushqimit të shëndetshëm dhe aktivitetit fizik.
– Efektet pozitive tek shëndeti i enëve të gjakut pas ndërprerjes së pirjes së duhanit janë me të vërtetë të rëndësishme dhe shpejtësisht të detektueshme. Pas rreth pesëmbëdhjetë vitesh, rreziku për sëmundje serioze kardiovaskulare bëhet i ngjashëm me atë të personave që nuk pinë duhan – shton ai



