Sot nis zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet në Kosovë, përcjell TV21. Bazuar në këto ligje, të gjithë ata që nuk kanë dokumente të Kosovës, do të duhet të marrin leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në trafik në Kosovë për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.
Një leje qëndrimi duhet të kërkohet brenda 72 orëve nga hyrja në Kosovë.
Gjithashtu, shtetasit e huaj mund të qëndrojnë në Kosovë deri në 90 ditë, dhe çdo qëndrim më i gjatë kërkon paraqitjen e kërkesës për leje qëndrimi.
Nëse dikush i shkel këto rregulla, autoritetet kompetente mund të marrin masa të përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë revokimin e lejes së qëndrimit, vendosjen e gjobës, dëbimin ose ndalimin e hyrjes në territorin e Kosovës.
Ligji për automjete përcakton që një automjet me targa të huaja, përfshirë targat serbe, nuk mund të drejtohet për më shumë se tre muaj.
Ministria e Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka lansuar sot aplikacionin për deklarimin e adresës për shtetasit e huaj që hyjnë në Republikën e Kosovës.
Sipas MPB-së, ky aplikacion do të mund të shkarkohet në të dy sistemet për telefona mobil, Android dhe iOS (iPhone). Po ashtu, mundësia e deklarimit të adresës do të bëhet edhe përmes ueb-it në kuadër të Policisë së Kosovës.
Në vijim keni linkun/barcodin:
iOS: https://apps.apple.com/app/id6759111987,
Android: https://play.google.com/store/apps/details?id=com.foreignerregistration
dhe Web: https://foreignerregistration.kosovopolice.com:8444/.
Qeveria e Kosovës ra dakord që të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi për 12 muaj për pjesëtarët e komunitetit serb, që nuk kanë dokumente të Kosovës, dhe t’i njohë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe për serbët e Kosovës, të cilat Republika e Kosovës nuk i njeh.
Ky proces do të zhvillohet në koordinim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialog dhe me përfaqësuesit e komunitetit serb.



