Çdo i treti student ka migruar ose mendon të migrojë jashtë

Edhe pse Organizata për bashkëpunim dhe zhvillim ekonomik (OECD) me qendër në Paris njoftoi ditë më parë se migrimi në vendet e pasura është ulur për 20%, të rinjtë nga vendi vazhdojnë ta kenë migrimin si opsion. Edhe atë çdo i treti i ri në Maqedoninë e Veriut migron apo mendon që të migrojë jashtë vendit. Këtë e konfirmon edhe hulumtimi i fundit UNT-së në bashkëpunim me universitete të tjera rajonale dhe ndërkombëtare, raporton Alsat.

“Të gjithë po përballemi me një sfidë të përbashkët, nuk do të thotë se ne në Ballkan kemi më shumë problem me migrimin dhe të tjerët jo. Sa i përket Ballkanit gati se çdo shtet po përballet me mënyrën e vet por të ngjashme njëri me tjetrit. Numri përqindja e personave që dëshirojnë të migrojnë dhe që migrojnë është shumë i lartë. Të rinjtë në RMV, rreth 57 përqind e të anketuarve i ishin përgjigjur pyetjes se janë të interesuar për të migruar”, tha Arta Xhelili, dekane e fakultetit të shkencave sociale UNT.

Një prej faktorëve më të rëndësishëm të migrimit, mbetet ai ekonomik, ndërsa hulumtimi në vitet e fundit ka nxjerrë në pah edhe një faktorin kulturor, si një nga arsyet përse të rinjtë dëshirojnë të ikin.

“Faktori ekonomik vazhdon të mbetet relevant, ose prevalon mbi faktorët e tjerë dhe një nga gjetjet le të themi që çdo vit ndoshta ndonjëherë del e dyta në rend, ndonjëherë e para, vazhdon të mbetet faktori që të rinjtë zgjedhin të ikin, ta lënë vendin për arsye se mendojnë se tregu i punës nuk i absorbon mjaftueshëm… Është interesante se vitet e fundit kanë dal në pah faktorë të tjerë që nuk kanë qenë shumë relevant vitet e kaluara, për shembull faktori kulturor”, theksoi Elisabeta Bajrami Olloku, profesoreshë.

Kujtomë se, edhe të dhënat e hulumtimit të Institutit për Hulumtime Politike- Shkup, të publikuar në maj të këtij viti, treguan se çdo i treti mendon që të shpërngulet nga Maqedonia e Veriut. Nga gjetjet e këtij hulumtimi, interes më të madh që të shpërngulen nga shteti kanë grup moshat nga 30 deri në 50 vjeç.

 

Ndryshe, të rinjtë e Pollogut nuk janë plotësisht të sigurt nëse ata që emigrojnë kanë informacion të mjaftueshëm për vendin ku po shkojnë, ndërsa djemtë janë pak më optimistë se vajzat. Sfida më e madhe për ta jashtë vendit mbetet mosnjohja e gjuhës (87%) dhe mospërshtatja me sistemin e ri (58%), ndërsa nostalgjia për shtëpinë prek pothuajse gjysmën e tyre, tregon hulumtimi “Gjendja dhe arsyet e migrimit të rinisë nga rajoni i Pollogut“. Romët dhe shqiptarët përballen më shumë me vështirësi gjuhësore, ndërsa maqedonasit shqetësohen për njohjen e diplomave. Megjithatë, të rinjtë vlerësojnë pozitivisht sistemin shëndetësor dhe transportin jashtë vendit. Për t’u kthyer, ata kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira pune, ndërsa shumica besojnë se qeveria duhet të jetë faktori kryesor në krijimin e kushteve për rikthimin e tyre.

Më shumë se 46 përqind e të rinjve në Maqedoni nuk besojnë se vendi do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, tregon një raport i ri “Përballja me euroskepticizmin midis të rinjve në Ballkanin Perëndimor: Rasti i Maqedonisë së Veriut”, i përgatitur nga Instituti për qeverisje të mirë dhe perspektiva euro-atlantike në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Naumann për liri dhe Qendrën evropiane të ekselencës (Bruksel). Sipas anketës së kryer në qershor 2025 midis më shumë se 1,000 të rinjve, 41 përqind kanë qëndrim pozitiv ndaj BE-së, 35 përqind janë neutralë dhe 24 përqind janë negativë. Vetëm 6.7 përqind besojnë se anëtarësimi mund të arrihet në pesë vitet e ardhshme, ndërsa 35.8 përqind presin që kjo të ndodhë në të ardhmen më të largët. Pengesa kryesore për integrimin, sipas të anketuarve, janë korrupsioni (84.6%), mosmarrëveshjet dypalëshe (61%) dhe besimi i ulët në institucione (60%).