Çdo 5 minuta regjistrohet nga një shkelës i shpejtësisë

Pothuajse në çdo 5 minuta radarët e policisë kapin nga një shkelës të rregullave të shpejtësisë në trafik. Policët thonë se nuk do të ketë kompromis për shoferët që tregojnë fuqinë në timon, duke rrezikuar jetën e të tjerëve.

Muajt e verës, sipas tyre janë më kritikët kur konsumohet shumë alkool në ahengje dhe ngarkohen rrugët nga ardhja e mërgimtarëve.

Në pikat më kritike për vozitje të shpejtë në kryeqytet policia e trafikut rrugor ka bërë postblloqe. Matja e shpejtësisë me radar ka lënë shumë vozitës pa patentë shoferë.

“Një nga patrullat e policisë këtu në hyrje të Shkupit është pothuajse konstante muajve të fundit, por intensifikimi i patrullave policore është shtuar në gjithë shtetin për muajin korrik dhe gusht pasi që janë muajt më vdekjeprurës nga aksidentet në trafik.”

Vetëm nga ky radar gjatë ditës që ishim ne terren me patrullën policore, janë gjobitur afër 150 vozitës për tejkalim të shpejtësisë. Gjobat varijonin nga 50 deri 400 euro. Në zonat urbane mbi 30km/h dhe jashtë vendbanimeve mbi 50km/h nga shpejtësia e lejuar, gjykata pezullon edhe patentën për 6 muaj. Zëvendës krye shefi i trafikut në SPB Shkup tha se përveç fushatave, efekt japin edhe gjobat.

Çdo ditë policia e trafikut rrugor ndërmerr masa ndaj shoferëve që nuk i respektojnë rregullat e sidomos tejkalimin e shpejtësisë sikurse nëpër qytet ashtu edhe jashtë vendbanimeve. Mjaft është ulur numri i shkelësve të rregullave duke pasur kontrolle me radar dhe kështu janë ulur edhe rreziqet në rrugë”, tha Marijan Mitrevski, nëpunës policie në SPB Shkup.

Nga MPB thonë se do të ketë zero tolerancë për “çallëmxhinjtë” në timon të cilët lëvizin me dyfishin e shpejtësisë së lejuar. Zëdhënësi Toni Angellovski tha që nuk do t’i ndalojnë as grupet në rrjetet sociale që paralajmërojnë lokacionet e patrullave policore, nëse ato kontribuojnë në rritjen e sigurisë në trafik. Ligji ndalon fotografimin e policëve, por jo edhe njoftimi i vozitësve me drita, sirena apo forma elektronike, për vendndodhjen e patrullës policore në rrugë.

Pikërisht vozitja e shpejtë është faktori kryesor për aksidente trafiku me pasoja vdekjeje. Pas saj kemi vozitje nën ndikimin e alkoolit, tejkalimet në vijë të plot, por shpejtësia është arsye famëkeqe. Ka shembuj ku në autostradë lejohet 120km/h kurse në radar bien me 240-260km/h gjë që nuk është normale. Prandaj apelojmë te qytetarët ti respektojmë rregullat kurse ata që nuk e kuptojnë këtë thirrje apo kjo porosi nuk arrin deri tek ata, atëherë patjetër duhet të marrim masa represive”, pohoi Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.

Sipas të dhënave të MPB-së gjatë vitit të kaluar 125 viktima janë shkaktuar nga aksidentet në trafik. Gjatë korrikut dhe gushtit të 2020-ës 36 persona kanë humbur jetën nga pakujdesia në vozitje të dehur nga alkooli, me dyfishim të shpejtësisë, me tejkalim në vijë të plotë dhe me ndërhyrje në semafor të kuq./ Alsat